Themelimi i institucioneve në Kosovë ndërmjet formalizmit të tepruar dhe mungesës se kulturës kushtetuese - Gazeta Express
string(105) "themelimi-i-institucioneve-ne-kosove-ndermjet-formalizmit-te-tepruar-dhe-mungeses-se-kultures-kushtetuese"

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

06/08/2026 14:09

Themelimi i institucioneve në Kosovë ndërmjet formalizmit të tepruar dhe mungesës se kulturës kushtetuese

Shkurt e Shqip

Gazeta Express

06/08/2026 14:09

Shkruan: Nur Çeku

Sa më i madh rregulli i dukshëm, aq më i madh kaosi i fshehur, sepse sa më shumë rregulla krijohen, aq më shumë do të të debatohet nëse ato duhet të respektohen.

Formalizmi si zëvendësim i kulturës kushtetuese

Themelimi i institucioneve kryesore të pushtetit qendror në Kosovë pas zgjedhjeve të përgjithshme identifikohet si një nga sfidat kryesore të shtetndërtimit. Ndonëse Kushtetuta përcakton një sistem modern të bazuar në demokraci, ndarje të pushteteve dhe sundim të ligjit, praktika është karakterizuar nga bashkëjetesa e dy dukurive kontradiktore: formalizmit procedural dhe anashkalimit të normave kushtetuese për interesa politike. Kjo ka shkaktuar kriza të shpeshta institucionale dhe ka forcuar rolin e Gjykatës Kushtetuese si arbitri kryesor në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve dhe në garantimin e themelimit kushtetues të institucioneve.

Në një demokraci funksionale, institucionet nuk mbështeten vetëm në tekstin e ligjit, por edhe në kulturën kushtetuese, respektimin e praktikave demokratike dhe vetëpërmbajtjen institucionale. Kultura kushtetuese është mënyra se institucionet dhe qytetarët e kuptojnë, e respektojnë dhe e zbatojnë kushtetutën në praktikë. Ajo nuk lidhet vetëm me tekstin e kushtetutës, por edhe me vlerat, traditat dhe sjelljet që mbështesin demokracinë, shtetin e së drejtës dhe kufizimin e pushtetit. Një kulturë e zhvilluar kushtetuese ndihmon në funksionimin e institucioneve dhe në forcimin e demokracisë.

Formalizmi nuk është qëllim në vetvete, por një mjet për realizimin e vlerave kushtetuese dhe sundimit të ligjit. Në Kosovë, përkundrazi, është krijuar shpesh bindja se çdo veprim institucional duhet të jetë i rregulluar në mënyrë sa më të detajuar me norma juridike. Shpesh në diskursin publik dhe institucional mbizotëron qëndrimi se Kushtetuta nuk është e qartë, qëndron e heshtur për shumë situata, apo madje edhe vlerësimin se Kushtetuta është e konceptuar gabim në  shumë norma të saj. Ky është koncepti sipas të cilit Kushtetuta do të duhej të përcaktojë të gjitha  rregulla e detajuara për të gjitha situatat dhe të jetë e modeluar si udhëzim administrativ. Por esencialisht problemi është sepse  kushtetuta nuk referohet si rregullator por si problem.

Në mungesë të  kulturës kushtetutës dhe vendimmarrjes politike brenda kufijve kushtetues, procedurat kanë fituar rendësi me të madhe se sesa vetë qëllimi kushtetues dhe kjo qasje ka krijuar një  formalizëm të tepruar të sistemit ligjor.  Në vend që aktorët institucionalë të udhëhiqen nga fryma e Kushtetutës, ata shpesh kërkojnë interpretimin më të ngushtë dhe më formal të dispozitave, duke prodhuar bllokada politike dhe institucionale. Paradoksalisht, krahas formalizmit të tepruar  ekziston edhe një tendencë e vazhdueshme për të mos respektuar normat kushtetuese kur ato bien ndesh me interesat politike të momentit. Në praktikën institucionale janë shfaqur vazhdimisht: interpretime selektive të Kushtetutës; mosrespektim i afateve kushtetuese; tejkalim i kompetencave institucionale; përdorim instrumental i procedurave parlamentare; tentativa për të imponuar zgjidhje politike jashtë logjikës kushtetuese. Kjo tregon se problemi nuk qëndron vetëm te cilësia e legjislacionit, por edhe te mungesa e një kulture të respektimit të kufijve kushtetues.

Gjykatës Kushtetuese si arbitri  kryesor në zgjidhjen e mosmarrëveshjeve

Për shkak të mosmarrëveshjeve  politikë dhe mungesës se kulturës kushtetutës, lidhur me themelimin e institucioneve, shumë raste kanë përfunduar për trajtim në Gjykatën Kushtetuese.  Një pasojë e këtij zhvillimi është juridizimi i politikës,sepse shumë që në demokracitë e konsoliduara zgjidhen përmes përgjegjësisë politike, në Kosovë kërkojnë gjithnjë e më shpesh interpretim kushtetues.  Si pasoje e kësaj, edhe Kushtetuta politizohet dhe interpretimet juridike nuk debatohen vetëm mbi bazën e argumenteve kushtetuese, por edhe sipas interesave politike të aktorëve përkatës. Kjo rrit presionin mbi Gjykatën Kushtetuese dhe rrezikon ta vendosë atë në qendër të polemikave politike.

Pak vende në rajon kanë ndërtuar një praktikë kaq të pasur të jurisprudencës kushtetuese mbi funksionimin e institucioneve sa Republika e Kosovës. Gjatë viteve, Gjykata Kushtetuese ka interpretuar çështje që lidhen me: zgjedhjen e Presidentit; formimin e Qeverisë; shpërndarjen e Kuvendit; kompetencat e Kryeministrit; mandatin e Kryetarit të Kuvendit; procedurat parlamentare; raportet ndërmjet pushteteve; pavarësinë e institucioneve kushtetuese. Kjo jurisprudencë ka qenë vendimtare për ruajtjen e stabilitetit institucional, por njëkohësisht dëshmon se konfliktet politike janë zhvendosur vazhdimisht nga arena politike në atë gjyqësore. Në vend që aktorët politikë t’i zgjidhin mosmarrëveshjet përmes dialogut dhe kompromisit, ato përfundojnë rregullisht para Gjykatës Kushtetuese.

Përkundër rëndësisë se madhe të vendimeve të Gjykatës Kushtetuese në zgjidhjen e shumë situatave/ mosmarrëveshjeve në disa raste edhe Gjykata Kushtetute, nuk ka aplikuar standardin e njëjtë: p.sh lidhur me zgjedhjen e Presidentit Pacolli (Rasti Nr. KO 29/11)Gjykata Kushtetuese, ka vlerësuar jo kushtetutës procedurën për zgjedhjen e Presidentit nga Kuvendi por si pasoje, Kuvendi ishte shpërndarë por  detyruar të përsëriste procedurën për zgjedhjen e Peridentit të ri. Ndërsa ne rastin e zgjedhjes se Qeverisë Hoti nga Kuvendi (Rasti Nr. KO95/20), Gjykata Kushtetuese, kishte vlerësuar se Qeveria ishte zgjedhur në mënyre jo kushtetutës dhe kishte vlerësuar se edhe mandati i Kuvendit është ezauruar dhe si pasoje ishin shpallur zgjedhjet e jashtëzakonshme, pasi z, Hoti ishte kandidati i dytë i dekretuar për Kryeministër.

Nevoja për kulturë kushtetuese

Një nga tiparet më karakteristike të zhvillimit  të sistemit juridik në Kosovë është besimi pothuajse i pakufizuar të ligji si instrument universal për zgjidhjen e problemeve. Për çdo situatë apo çështje ligjore (ose administrativë)  që mund të paraqitet  kërkohet: një ligj i ri; një amendament kushtetues; një procedurë shtesë; një kompetencë e re; një mekanizëm tjetër kontrolli; e me se shpeshti një opinion/ mendim ligjor.  Sistemi juridik kështu vijon të behet  gjithnjë e më kompleks, ndërsa zbatimi praktik nuk përmirësohet në të njëjtën masë. Si pasojë, formalizmi shndërrohet në zëvendësues i kulturës institucionale.

Përvoja kushtetuese e Kosovës dëshmon se ndërtimi i institucioneve nuk është vetëm një proces juridik, por edhe kulturor e politik. Formalzmi i tepruar nuk mund të zëvendësojë besimin institucional, ndërsa shkelja e vazhdueshme e normave e dobëson autoritetin e Kushtetutës dhe vetë legjitimitetin e institucioneve. Në thelb, ndërtimi i institucioneve është shumë më tepër sesa krijimi i organeve (institucioneve/agjencive) dhe miratimi i ligjeve. Ai është proces i ndërtimit të një kulture politike në të cilën kufizimi i pushtetit pranohet si parakusht i demokracisë dhe jo si pengesë për të.

Asnjë sistem juridik nuk mund të funksionojë vetëm përmes normave. Demokracia kërkon kulturë kushtetuese, respekt institucional, vetëpërmbajtje në ushtrimin e pushtetit dhe besim në rregullat e përbashkëta. Kosova nuk ka domosdoshmërisht nevojë për më shumë ligje apo për rregulla gjithnjë e më të detajuara. Ajo ka nevojë mbi të gjitha për respektim konsekuent të normave ekzistuese, ndërtim të praktikave demokratike dhe pranimin se jo çdo mosmarrëveshje politike duhet të përfundojë para Gjykatës Kushtetuese.

Sfida reale është ndërtimi i një kulture kushtetuese, në të cilën normat respektohen jo vetëm për shkak të mundësisë së sanksionit, por sepse ato përfaqësojnë marrëveshjen themelore mbi bashkëjetesën demokratike. Vetëm atëherë formalizmi do t’i shërbejë demokracisë dhe nuk do ta zëvendësojë atë. Stabiliteti institucional, legjitimiteti demokratik dhe besimi i qytetarëve nuk burojnë nga shumësia e rregullave, por nga gatishmëria për t’i respektuar ato në praktikë.

Autori është doktor shkence në fushën e të drejtës kushtetuese

Advertisement
Advertisement
Advertisement