Sulme kibernetike ndaj sistemeve të furnizimit me ujë në SHBA janë raportuar në të paktën 12 shtete amerikane, ndërsa autoritetet dyshojnë se pas tyre mund të jenë hakerë të mbështetur nga Irani.
Sipas mediave amerikane, ndër shtetet e prekura janë Michigan, Minnesota, Georgia, New Jersey dhe South Dakota. Në Minnesota, më shumë se 30 sisteme komunitare të ujit janë prekur nga këto sulme.
Në Georgia, një sulm kibernetik ndaj Autoritetit të Ujit të Qarkut Clayton, që furnizon rreth 300 mijë banorë në zonën e Atlantës, shkaktoi rënie të presionit të ujit dhe detyroi autoritetet të lëshonin një njoftim për zierjen e ujit si masë sigurie. Shërbimi u rikthye brenda disa orësh.
Në disa raste, hakerët kanë arritur të marrin akses në sistemet e kontrollit në distancë të pompave, valvulave dhe presionit të ujit. Disa operatorë janë detyruar të kalojnë në funksionim manual pasi humbën kontrollin elektronik të pajisjeve.
Megjithatë, autoritetet amerikane bëjnë me dije se deri tani sulmet nuk kanë ndikuar në cilësinë e ujit të pijshëm, i cili vijon të jetë i sigurt.
FBI, Agjencia për Mbrojtjen e Mjedisit (EPA) dhe Agjencia për Sigurinë Kibernetike (CISA) kanë paralajmëruar se sulmues kibernetikë kanë hyrë në sistemet online të disa impianteve të ujit dhe ujërave të zeza, duke shkaktuar humbje të funksioneve të monitorimit dhe kontrollit.
Autoritetet u kanë kërkuar operatorëve të ujësjellësve të shkëputin sistemet kritike nga interneti dhe të forcojnë masat e sigurisë, përfshirë fjalëkalimet dhe mbrojtjen e rrjeteve.