Policia në Vushtrri, pas pranimit të një informate për të shtëna me armë zjarri në orët e mbrëmjes të datës 5 gusht, ka ndërmarrë veprime të menjëhershme hetimore dhe operative.
Si rezultat i veprimeve policore është identifikuar vendi i ngjarjes, ku gjatë një ahengu familjar dyshohet se ishin shkrepur të shtëna me armë zjarri.
Gjatë ndërhyrjes policore janë konfiskuar dy armë zjarri – pistoleta, të cilat dyshohet se janë përdorur në këtë rast.
“Personi i dyshuar është shoqëruar në stacion policor dhe është intervistuar, ku pas intervistimit me urdhër te prokurorit kompetent, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.
Ndaj të dyshuarit është iniciuar rast për veprat penale “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armës”” thuhet në njoftimin e policisë.