Pas më shumë se një muaji në arrati, Policia e Kosovës ka arrestuar A.K, personin e dyshuar për kanosjen e një zyrtari policor në Prizren.
Burime të Sinjalit bëjnë të ditur se i dyshuari, pavarësisht ftesave të përsëritura për t’u paraqitur në Stacionin Policor, kishte shmangur organet e rendit dhe nuk ishte vënë në dispozicion të hetimeve.
Incidenti kishte ndodhur rreth një muaj më parë, kur ai i ishte afruar një zyrtari policor, i cili në ato momente ndodhej jashtë detyrës zyrtare, duke e kanosur me fjalët:
“S’ma nin mu që je polic. T’i bluaj eshtrat në makinën e mishit”.
Pas veprimeve intensive operativo-hetimore, hetuesit policorë kanë arritur ta lokalizojnë dhe arrestojnë të dyshuarin.
Sinjali mëson se A.K konsiderohet recidivist i veprave penale, ndërsa me vendim të Prokurorit të Shtetit ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
Hetimet për rastin janë në vazhdim.