Pas gjetjes së një droni me lëndë shpërthyese në aeroportin Leipzig/Halle, autoritetet janë të alarmuara. Ministri i Brendshëm gjerman, Alexander Dobrindt, u shpreh për një “nivel të ri rreziku.”
Gjetja e një droni të pajisur me mjet shpërthyes në aeroportin Leipzig/Halle përbën një “nivel të ri rreziku” tha ministri federal gjerman i Punëve të Brendshme, Alexander Dobrindt, i cili ishte në aeroport për t’u informuar për ngjarjen.
Sipas vlerësimit të tij “kemi të bëjmë me një skenar sulmi hibrid”. Fakti që një dron “i armatosur me lëndë shpërthyese u gjet në territorin e një aeroporti është një skenar i ri kërcënimi” deklaroi politikani i CSU-së.
Dobrindt tha se kjo situatë kërcënuese “nuk është vepër amatorësh”, por është “përgatitur në mënyrë shumë profesionale” dhe kërkon “një nivel të lartë përvoje teknike”. “Nga e gjithë situata nuk mund të flitet për një veprim amator, por për një veprim profesional dhe situatë hibride kërcënimi, me të cilën duhet të vazhdojmë të merremi.”
Pa përmendur ndonjë autor të mundshëm, ministri i Brendshëm foli për një “garë” që “mund të përfshijë edhe fuqi të huaja. Kjo do të jetë pjesë e hetimeve.”
Lëndë shpërthyese me fuqi të lartë
Punonjësit e aeroportit Leipzig/Halle gjetën një dron të pajisur me lëndë shpërthyese, i cili thuhet se ndodhej mjaft afër katër avionëve transportues të linjës ajrore shtetërore ukrainase “Antonov Airlines”.
Ekzaminim i parë nga specialistët e çaktivizimit të mjeteve shpërthyese rezultoi pozitiv për nitrate, një substancë që mund të përdoret për shpërthime. Kurse nga analiza e kryer nga ekspertët e Policisë së Landit të Saksonisë, rezultoi se paketa e dronit përmbante lëndë shpërthyese me fuqi të lartë PETN dhe Semtex. Këto substanca përdoren edhe nga ushtria.
Nyje e rëndësishme logjistike për transporte ushtarake
Sipas hetimeve aeroporti duket se i ka shpëtuar një katastrofevetëm për pak. Sipas policisë detonatori i paketës të ngjitur me dronin duket se ishte shkëputur, duke penguar kështu një shpërthim të mundshëm.
Aeroporti Leipzig/Halle është një nyje e rëndësishme logjistike për transportin e materialeve ushtarake për luftën në Ukrainë. Që nga fillimi i luftës së agresionit rus kundër Ukrainës edhe në Gjermani janë shtuar ndjeshëm rastet e vëzhgimit të dronëve, si dhe aktivitetet e spiunazhit dhe mbikëqyrjes së infrastrukturës me rëndësi jetike dhe objekteve ushtarake. /DW