Bisedimet VV-LDK dhe seanca e Kuvendit, gjermanët apelojnë: Të formohen institucionet, Kosova s'ka kohë për të humbur - Gazeta Express
string(113) "bisedimet-vv-ldk-dhe-seanca-e-kuvendit-gjermanet-apelojne-te-formohen-institucionet-kosova-ska-kohe-per-te-humbur"

Lajme

Gazeta Express

05/08/2026 16:12

Bisedimet VV-LDK dhe seanca e Kuvendit, gjermanët apelojnë: Të formohen institucionet, Kosova s’ka kohë për të humbur

Lajme

Gazeta Express

05/08/2026 16:12

Kosova nuk ka kohë për të humbur, ka thënë ambasada gjermane pas zhvillimeve të mbrëmshme mes dy partive politike, Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK’së, të cilat dolën nga një takim treorësh pa një rezultat konkret. Gjermania përsëriti kërkesën ndaj Kosovës për institucione të reja e me mandat të plotë në mënyrë që të punojnë bashkë për synimet integruese të vendit.

Alma Baxhaku

Ambasada gjermane në Prishtinë në një përgjigje për Gazetën Express s’pranoi të komentojë konkretisht mbi bisedimet që po zhvillohen në mes të partisë fituese, Lëvizjes Vetëvendosje dhe të partisë që doli e treta, Lidhjes Demokratike të Kosovës, për formimin e institucioneve të reja. Por, ambasada përsëriti qëndrimin se Kosovës i duhen institucionet e formuara në kohë dhe paralajmëroi për kohën e humbur nga kriza politike.

“Kosova nuk ka kohë për të humbur: Shpresojmë që institucionet e reja të formohen në kohën e duhur dhe për një mandat të plotë, në mënyrë që të mund të vazhdojmë punën për agjendën tonë të përbashkët europiane me Kosovën”.

Bisedimet në mes të parit të Vetëvendosjes, Albin Kurti dhe atij të LDK’së, Lumir Abdixhiku, pas një kohe sa qëndruan të pezulluara, rinisën mbrëmë me një takim të dytë që zgjati mbi tri orë, por që në fund s’prodhoi rezultat përkundër që koha po shkurtohet për ndërtim të institucioneve.

Seanca konstituive do të mbahet nesër, më 6 gusht.

Të dy përmenden zgjedhjet e reja në rast se nuk merren vesh, por po ashtu të dy u deklaruan se nuk i duan ato.

“Sa i përket takimit me Lidhjen Demokratike të Kosovës, përkatësisht me krerët e saj, lajm do të ishte po të kishim marrëveshje. Marrëveshje politike nuk kemi. Pra, diskutuam për qasje të ndryshme, për mundësitë që i kemi përpara”, iu tha Kurti gazetarëve mbrëmë, duke zbuluar më pas se si duhet të duket marrëveshja.

“Kemi nevojë për një marrëveshje politike e cila e respekton rezultatin zgjedhor, nuk e zëvendëson atë, por e shndërron rezultatin zgjedhor edhe në kontribut për stabilitet institucional dhe për funksionim të Republikës së Kosovës në mënyrë demokratike”.

Më pas, ai paralajmëroi për zgjedhje të reja.

“Askush nuk i do zgjedhjet e reja, mirëpo nëse nuk do të kemi marrëveshje, nëse nuk do të kemi hapa përpara, përkundër mosdëshirës që të shkojmë në zgjedhje të reja, fatkeqësisht ato mund të shkaktohen. Për këtë jemi të vetëdijshëm edhe Lëvizja Vetëvendosje edhe Lidhja Demokratike e Kosovës”, tha ai.

Ndërkaq, Abdixhiku, duke thënë se takimi me Kurtin ishte “i mirë, i mbarë” dhe se bisedimet do t’i vazhdojnë, shtoi: “Në qoftë se s’bëjmë asgjë, e vetmja gjë e garantuar do të jenë zgjedhjet e reja, dhe besoj që kjo s’është as lajm i mirë për popullin e Kosovës, as lajm i mirë për partitë politike”.

Këndvështrime të ndryshme dy kryetarët shfaqën për pozitën e Presidentit.

Kurti tha se President duhet të jetë “një figurë e cila duhet të ngrohë zemrat e të gjithë qytetarëve të Republikës”, se duhet të jetë jashtë skenës politike dhe se “nuk do të paraqiste polin e katërt të pushtetit”.

Në anën tjetër, Abdixhiku kërkoi “balancë demokratike” dhe se partia e tij duhet të ndihet “e përfaqësuar”.

Për të, figurë konsensuale për postin e Presidentit “është secili president që i merr 80 vota”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement