Nga antilopat te televizorët, peshkaqenët tigër janë larg të qenit përzgjedhës në ushqim dhe madje sfidojnë edhe uraganet për një gosti. Për fat të mirë, dieta e tyre e pazakontë ka edhe anë pozitive për të tjerët.
Me përmasa sa një autobus i vogël, por me trup të zgjatur si silur dhe me një forcë jashtëzakonisht të madhe kafshimi, peshkaqenët tigër janë ndër peshkaqenët grabitqarë më të mëdhenj në botë, shkruan BBC.
Ata janë “tanket” e detit, thotë Neil Hammerschlag, studiuesi kryesor në Marine Biodiversity Observation Network. Për më tepër, ata kanë dietën më të larmishme nga të gjitha llojet e peshkaqenëve, duke fituar nofkën “koshat e mbeturinave të oqeanit”.

Ata ushqehen me molusqe, peshq gjemborë, gjarpërinj detarë, foka, kallamarë dhe balena. Gëlltisin zogj detarë dhe kafshë tokësore. Në stomakun e tyre janë gjetur minj nishan, antilopa, qen, dhi dhe mace. Një peshkaqen fatkeq nxori nga stomaku një nga banorët më me gjemba të Australisë, një ekidna. Ndoshta gjembat e saj ishin shumë bezdisës.
Edhe mbeturinat e njerëzve janë pjesë e menusë së tyre: qese patatinash, prezervativë, cigare, targa makinash, goma, televizorë – madje, sipas raportimeve, edhe një parzmore e plotë mesjetare.

Po ashtu edhe njerëzit. Së bashku me peshkaqenin e bardhë dhe peshkaqenin dem, peshkaqenët tigër njihen si një nga “Tre të Mëdhenjtë”, speciet më të rrezikshme të peshkaqenëve në botë – megjithëse ka shumë më tepër gjasa të të marrë rrjedha e fortë e detit ose të goditesh nga rrufeja.
Ata madje notojnë edhe drejt syrit të një uragani nëse kjo do t’u sigurojë një vakt të mirë. Por stomaku i tyre prej “çeliku” ka edhe një anë pozitive për të tjerët.
Duke u ushqyer me kafshë të ngordhura, peshkaqenët tigër pastrojnë organizmat e vdekur dhe ata që po ngordhin në zinxhirin ushqimor. Në këtë mënyrë, ata ndihmojnë në ruajtjen e shëndetit të deteve.
