Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Mitrovica” ka njoftuar se ekipet e saj kanë zhvilluar një vizitë pune në komunën e Leposaviqit, me qëllim të evidentimit të gjendjes në terren, identifikimit të rasteve të keqpërdorimit të ujit të pijshëm dhe informimit të qytetarëve për procesin e regjistrimit si konsumatorë të rregullt.
Sipas kompanisë, gjatë vizitës janë evidentuar disa parregullsi, për të cilat do të ndërmerren veprimet e nevojshme në përputhje me procedurat dhe legjislacionin në fuqi.
Po ashtu, ekipet e KRU “Mitrovica” kanë zhvilluar takime të drejtpërdrejta me banorët, duke i informuar për rëndësinë e regjistrimit si konsumatorë të rregullt dhe duke i udhëzuar që procedurat t’i përfundojnë në Zyrën e KRU “Mitrovica” në Leposaviq.
Kompania ka bërë të ditur se qytetarët janë njoftuar edhe për fillimin e procesit të faturimit të shërbimeve të ujësjellësit, i cili do të nisë më 1 tetor të këtij. Gjatë takimeve, ekipet kanë ofruar sqarime lidhur me procesin, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe paqartësive të konsumatorëve.
Sipas KRU “Mitrovica”, këto takime dëshmojnë rëndësinë e komunikimit të drejtpërdrejtë me qytetarët, ndaj kompania do të vazhdojë me vizita të rregullta derë më derë për t’i informuar konsumatorët mbi të drejtat, obligimet dhe shërbimet që ofron.
Në fund, kompania ka falënderuar banorët e Leposaviqit për bashkëpunimin dhe mikpritjen, ndërsa u ka bërë thirrje qytetarëve që ende nuk janë regjistruar si konsumatorë të rregullt ta bëjnë këtë sa më parë në zyrën e saj në Leposaviq.
Ndërsa, KRU “Mitrovica” ka apeluar që uji i pijshëm të përdoret me përgjegjësi, të kursehet dhe të shmanget çdo formë e keqpërdorimit, në mënyrë që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm për të gjithë qytetarët.