Objektivi i Arsenalit, Vinicius Junior, ka folur më në fund për të ardhmen e tij pasi iu rikthye stërvitjeve me Real Madridin.
Pas javësh spekulimesh rreth së ardhmes së tij dhe interesimit të raportuar nga Arsenali, braziliani u rikthye të hënën (3 gusht) në stërvitjet e Real Madridit.
Sulmuesi fillimisht iu nënshtrua testeve rutinë mjekësore të fazës përgatitore dhe më pas zhvilloi dy seanca stërvitore nën drejtimin e trajnerit të ri të Real Madridit, Jose Mourinho.
Ndërkohë, përfaqësuesit e tij vazhdojnë negociatat në prapaskenë, pasi Vinicius ka vetëm edhe 12 muaj kontratë me klubin madrilen.
Të hënën, “ESPN” raportoi se Real Madridi i ka paraqitur brazilianit një ofertë të përmirësuar për rinovimin e kontratës, edhe pse bisedimet kishin ngecur sezonin e kaluar.
Sipas raportimeve, klubi i ka ofruar një kontratë me vlerë 19.1 milionë funte në vit, ose rreth 367 mijë funte në javë. Megjithatë, kjo mbetet larg kërkesës së lojtarit, i cili raportohet se dëshiron rreth 26 milionë funte në vit.
Nëse Vinicius vendos ta përfundojë kontratën pa rinovuar, ai do të largohej si lojtar i lirë verën e ardhshme, një skenar që do të ishte katastrofik për Real Madridin.
Klubi spanjoll synon të arkëtojë rreth 145 milionë funte nga shitja e brazilianit, por sipas mediumit spanjoll Sport, Arsenali nuk është i gatshëm të paguajë aq shumë dhe e vlerëson 26-vjeçarin në rreth 128.5 milionë funte.
Sipas të njëjtit raport: “Klubi londinez është i gatshëm të marrë një rrezik duke i ofruar pagën më të lartë që është parë ndonjëherë në Premierligë. Shifrat do të ishin shumë pranë asaj që aktualisht fiton Mbappe te Real Madridi. Por që marrëveshja të realizohet, Real Madridi duhet të ulë kërkesat financiare. Florentino Perez kërkon 170 milionë euro, pavarësisht se Vinicius ka vetëm një vit kontratë, ndërsa Arsenali dëshiron një shumë nën 150 milionë euro që transferimi të jetë i realizueshëm. Ka ende hapësirë për negociata dhe Arsenali është shumë serioz për këtë transferim”.
Për herë të parë që nga shfaqja e zërave për interesimin e Arsenalit, Vinicius ka folur edhe përmes kanaleve zyrtare të Real Madridit, duke zbuluar se Jose Mourinho dëshiron që ai të vazhdojë të jetë i lumtur në klub.
“Mourinho dëshiron që të jem ai që kam qenë gjithmonë: i lumtur, pozitiv dhe të luaj futbollin tim. Duhet të përgatitemi fizikisht që gjatë sezonit të kemi sa më pak lëndime dhe të kemi në dispozicion të gjithë futbollistët. Të hënën zhvilluam dy seanca stërvitore, ndërsa të martën kemi një. Sot punuam pak në palestër dhe zhvilluam një seancë të shkurtër për të ngarkuar edhe më shumë këmbët. Ishte një stërvitje e mirë dhe të gjithë dolëm shumë të lodhur, por tani është koha të pushojmë për nesër. Kështu është faza përgatitore. Duhet të jemi gati”, tha ai.
Arsenali këtë verë ka transferuar tashmë Illan Meslier, Christos Tzolis dhe Piero Hincapie.
Skuadra e Mikel Artetës do të përballet më 5 gusht me Real Betisin në Dublin, më pas me Borussia Dortmundin dhe Comon në “Emirates” më 9 dhe 12 gusht.
Më 16 gusht, “Topçinjtë” do të luajnë ndaj Manchester Cityt në Community Shield, ndërsa sezonin e ri të Premierligës do ta nisin më 21 gusht në shtëpi kundër Coventryt, skuadër e sapongjitur në elitë./GazetaExpress/