Liverpooli zhvillon bisedime edhe për një futbollist tjetër të PSG-së, përpos Barcolas - Gazeta Express
string(85) "liverpooli-zhvillon-bisedime-edhe-per-nje-futbollist-tjeter-te-psg-se-perpos-barcolas"

Futboll

Gazeta Express

04/08/2026 16:20

Liverpooli zhvillon bisedime edhe për një futbollist tjetër të PSG-së, përpos Barcolas

Futboll

Gazeta Express

04/08/2026 16:20

Liverpooli raportohet se po punon për transferimin e një tjetër lojtari të Paris Saint-Germain, i cili mund t’i bashkohet Bradley Barcolas në “Anfield”.

Që kur Liverpooli befasoi duke transferuar anësorin e Osasunas, Victor Munoz, pasi aktivizoi klauzolën e lirimit prej 40 milionë eurosh (34.6 milionë funte), “The Reds” kanë qenë shumë të qetë në këtë afat kalimtar veror.

Para hapjes së merkatos ishte pritur gjerësisht që Liverpooli, nën drejtimin e trajnerit të ri Andoni Iraola, të ishte shumë aktiv në treg.

Kësaj i shtohet edhe fakti se disa futbollistë të Liverpoolit kanë pësuar lëndime gjatë fazës përgatitore, gjë që ka shtuar pakënaqësinë e tifozëve për mungesën e lëvizjeve nga klubi.

Megjithatë, mediat raportojnë se Liverpool është shumë pranë arritjes së marrëveshjes për yllin e PSG-së, Bradley Barcola, i cili prej kohësh lidhet me një transferim në “Anfield” me një vlerë që pritet të kalojë 100 milionë funte.

23-vjeçari konsiderohet si zëvendësuesi ideal i Mohamed Salahut, i cili u largua nga klubi këtë verë pas ndërprerjes me marrëveshje të ndërsjellë të kontratës së tij një vit para skadimit.

Por duket se marrëdhëniet mes Liverpoolit dhe PSG-së mund të mos përfundojnë vetëm me Barcolan.

Sipas një raportimi të Dave Ockop, klubi anglez ka zhvilluar bisedime këtë verë edhe me përfaqësuesit e mbrojtësit Illia Zabarnyi.

Sipas raportit, përfaqësuesit e futbollistit kanë bërë të ditur se një marrëveshje mund të realizohet para mbylljes së merkatos më 1 shtator, pasi Zabarnyi mbeti jashtë planeve të Luis Enriques në fund të sezonit të kaluar.

Duke pasur parasysh bashkëpunimin që mbrojtësi pati me Iraolan te Bournemouth, një transferim i tillë shihet si mjaft logjik. Për më tepër, PSG raportohet se do të kërkonte vetëm të rikuperonte shumën që pagoi për të, në rast të shitjes vetëm një vit pas transferimit.

Megjithatë, marrëveshja do të ishte ende e kushtueshme për Liverpoolin. Zabarnyi iu bashkua PSG-së nga Bournemouth për rreth 57 milionë funte, çka do ta bënte atë mbrojtësin e dytë më të shtrenjtë në historinë e klubit anglez, pas Virgil van Dijkut.

Gjithsesi, mbetet e paqartë nëse ky transferim do të realizohet këtë verë, pasi një raport tjetër, i publikuar nga Mark McAdam, pretendon se Liverpool nuk planifikon të transferojë një mbrojtës të ri gjatë këtij afati kalimtar dhe do të presë rikthimin nga lëndimet të Jeremy Jacquet, Giovanni Leoni dhe Joe Gomez.

“Jo, kjo është përgjigjja që kemi marrë,” tha McAdam për “Sky Sports News”.

Ai shtoi: “Sipas informacioneve të mia, Liverpool nuk do të dalë në treg për të transferuar një mbrojtës të ri për katër deri në gjashtë javët e ardhshme. A ka kuptim të shpenzosh 50 apo 60 milionë funte për një mbrojtës, kur pas gjashtë javësh të gjithë lojtarët e dëmtuar do të rikthehen? Çfarë do të bëjë ai? Do të ulet në stol apo në tribunë? Nuk ka logjikë financiare. Ata thjesht do ta përballojnë këtë periudhë të vështirë dhe do të presin rikthimin e futbollistëve të tyre. Atëherë do ta kenë repartin defensiv të plotë”.

Në dritën e këtyre raportimeve, është sugjeruar se mesfushori japonez Wataru Endo mund të përdoret si partner i Virgil van Dijkut në qendër të mbrojtjes në ndeshjet e para të sezonit./GazetaExpress/

Advertisement
Advertisement
Advertisement