Tottenham Hotspuri raportohet se i është ofruar një nga yjet e Kupës së Botës, i cili në të kaluarën ka qenë pjesë e Arsenalit.
Roberto De Zerbi tashmë ka afruar disa futbollistë te Spurs këtë verë, me Sandro Tonalin dhe Mateus Fernandes që iu bashkuan skuadrës nga Newcastle United dhe West Ham United për një shumë të kombinuar prej 185 milionë funtesh.
Trajneri italian ka transferuar edhe mbrojtësin qendror Jan Paul van Hecke nga Brighton, ndërsa Marcos Senesi dhe Andrew Robertson janë bashkuar si lojtarë të lirë. Po ashtu, portieri Martin Dubravka është afruar për të qenë alternativa e tretë pas Guglielmo Vicarios dhe Antonín Kinskýt.
Kapiteni i klubit, Cristian Romero, duket pranë kalimit te Interi, pasi raportimet sugjerojnë se klubet kanë arritur marrëveshje për një transferim me vlerë 34 milionë funte.
Pavarësisht se kanë shpenzuar mbi 220 milionë funte gjatë kësaj merkatoje, londinezët pritet të vazhdojnë përforcimet.
Tottenham raportohet se po monitoron si sulmuesin e Liverpoolit, Cody Gakpo, ashtu edhe anësorin e Benficas, Andreas Schjelderup. Mediat portugeze madje pretendojnë se Spurs kanë paraqitur një ofertë prej 47 milionë funtesh për norvegjezin.
Ndërkohë, të martën (4 gusht), “The Sun” raportoi se sulmuesi i kombëtares së Shteteve të Bashkuara dhe i Monacos, Folarin Balogun, i është ofruar Tottenhamit përmes ndërmjetësve, pasi De Zerbi dëshiron të shtojë konkurrencën për Dominic Solanken.
Përfaqësuesit e sulmuesit kanë kontaktuar drejtpërdrejt Tottenhamin me një propozim dhe drejtuesit e klubit po shqyrtojnë seriozisht mundësinë për të bërë një ofertë zyrtare. Edhe Monaco është i gatshëm ta shesë lojtarin nëse merr ofertën e duhur.
Balogun, i cili ka kontratë me Monacon deri në vitin 2028, la përshtypje të mira në Kupën e Botës, ku realizoi tre gola dhe ndihmoi SHBA-në të arrinte në fazën e 1/8 së finales.
Në nivel klubi, 25-vjeçari aktivizohet në Ligue 1 me Monacon, ku sezonin e kaluar shënoi 18 gola në 40 paraqitje në të gjitha garat.
Para se t’i bashkohej klubit francez në vitin 2023, Balogun zhvilloi dy periudha huazimi te Reims dhe Middlesbrough, ndërsa ishte ende nën kontratë me Arsenalin.
Sulmuesi iu bashkua akademisë së Arsenalit në vitin 2008 dhe debutoi me ekipin e parë në vitin 2020, në një ndeshje të Ligës së Evropës.
Në total, amerikani zhvilloi 10 ndeshje me fanellën e Arsenalit, duke regjistruar dy gola dhe një asistim, përpara se të transferohej jashtë Anglisë.
Tottenham raportohet se vazhdon të jetë i interesuar edhe për sulmuesin e Chelseat, Nicolas Jackson, megjithëse deri tani nuk ka pasur bisedime direkte mes dy klubeve. Situatën e senegalezit po e ndjekin gjithashtu Aston Villa dhe Newcastle.
Një tjetër emër në listën e Spurs është sulmuesi i Galatasarayt, Victor Osimhen, por çmimi i tij, që besohet të jetë mes 60 dhe 70 milionë funtesh, mund të jetë pengesa kryesore në negociata.
Duke folur javën e kaluar për mundësinë e transferimeve të tjera gjatë verës, De Zerbi e krahasoi veten me një peshkaqen kur identifikon një lojtar që dëshiron ta transferojë.
“Në merkato, kur dua një lojtar, bëhem si një peshkaqen. Nuk ka asnjë shans të më thonë jo! Merkatoja nuk ka përfunduar ende, por kemi realizuar 60 për qind të projektit tonë. Tani kemi edhe një bombë tjetër!”
Afati kalimtar veror mbyllet më 1 shtator./GazetaExpress/