Dyshimet për varrezë të dytë masive, U.D Presidentja Haxhiu thotë se drejtësia ende nuk është vënë në vend - Gazeta Express
string(105) "dyshimet-per-varreze-te-dyte-masive-u-d-presidentja-haxhiu-thote-se-drejtesia-ende-nuk-eshte-vene-ne-vend"

Lajme

Gazeta Express

02/08/2026 21:51

Dyshimet për varrezë të dytë masive, U.D Presidentja Haxhiu thotë se drejtësia ende nuk është vënë në vend

Lajme

Gazeta Express

02/08/2026 21:51

U.D Presidentja e Kosovës, Albulena Haxhiu, ka reaguar pas dyshimeve për një varrezë të dytë masive në Zubin Potok, duke thënë se ky rast është një rikujtim i rëndë i krimeve të kryera gjatë luftës dhe dëshmi se drejtësia ende nuk është vënë plotësisht në vend.

Haxhiu ka deklaruar se shtrirja e sovranitetit dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të Republikës së Kosovës ka qenë një parakusht për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë, zbulimin e varrezave masive dhe kthimin e mbetjeve mortore te familjet e tyre.

Ajo ka shprehur mbështetje për institucionet e Kosovës, ekipet profesionale dhe ekspertët mjekoligjorë që po punojnë për zbardhjen e këtyre rasteve, duke theksuar se çdo varrezë e zbuluar është një hap drejt së vërtetës, ndërsa plagët e luftës mbeten të hapura derisa të gjenden të gjithë personat e zhdukur dhe përgjegjësit të përballen me drejtësinë. /Gazeta Express

Postimi i plotë:

Dyshimet për një varrezë të dytë masive janë një rikujtim i rëndë i krimeve të kryera gjatë luftës dhe një dëshmi se drejtësia ende nuk është vënë plotësisht në vend.

Shtrirja e sovranitetit dhe rendit kushtetues në çdo pjesë të Republikës së Kosovës nuk ka qenë vetëm obligim institucional, por edhe një parakusht për të mundësuar zbardhjen e fatit të të zhdukurve me dhunë, zbulimin e varrezave masive dhe kthimin e mbetjeve mortore të viktimave te familjet e tyre.

Shpreh mirënjohjen dhe mbështetjen e plotë për të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës, ekipet profesionale, ekspertët mjekoligjorë dhe të gjithë ata që, me përkushtim e profesionalizëm, po punojnë për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur me dhunë. Angazhimi i tyre është një shërbim i çmuar ndaj drejtësisë, së vërtetës dhe dinjitetit njerëzor.

Çdo varrezë e zbuluar është një hap drejt së vërtetës, por edhe një dëshmi se plagët e luftës mbeten të hapura derisa të gjendet personi i fundit i zhdukur dhe përgjegjësit për këto krime të dalin para drejtësisë.

Në këto momente, shprehim solidaritetin më të thellë me familjet e viktimave, të cilat për më shumë se dy dekada kanë pritur të dinë fatin e më të dashurve të tyre. Republika e Kosovës mbetet e përkushtuar që e vërteta të zbardhet plotësisht dhe kujtesa për viktimat të nderohet me dinjitet.

Advertisement
Advertisement
Advertisement