Mateus Fernandes ka zbuluar arsyet pse vendosi t’i bashkohet Tottenhamit këtë verë, pavarësisht se ishte lidhur ngushtë me një transferim të madh te rivali i Premier League, Manchester United.
Mesfushori 22-vjeçar, i cili ishte një nga lojtarët më të spikatur të West Ham sezonin e kaluar, iu bashkua Tottenhamit në fillim të korrikut për një shumë rekord për klubin prej 85 milionë funtesh.
Para se të nënshkruante me klubin londinez, interesim për Fernandes kishin shfaqur disa skuadra të mëdha, përfshirë Arsenalin, Real Madridin, Paris Saint-Germainin dhe Manchester Unitedin.
Madje, në një fazë Fernandes konsiderohej objektiv prioritar i Unitedit, por klubi nuk ishte i gatshëm të paguante shumën që Tottenhami pranoi, pas bisedimeve me agjentin e lojtarit, Jorge Mendes.
Sipas një raporti të BBC-së, drejtuesit e Unitedit nuk ishin të bindur se Fernandes dëshironte të luante në “Old Trafford”, ndaj vendosën të fokusoheshin te transferimet e Andrey Santos nga Chelsea dhe Youri Tielemans nga Aston Villa.
Tani, mesfushori ka folur për vendimin e tij për t’iu bashkuar Tottenhamit, duke zbuluar se trajneri Roberto De Zerbi dhe bashkëlojtari portugez Pedro Porro luajtën rol vendimtar që ai të zgjidhte Spurs përpara Manchester Unitedit.
Në një intervistë për The Athletic, Fernandes u pyet pse zgjodhi Tottenhamin.
“Dëshira për të luajtur për një klub të madh, për të fituar ndeshje dhe për të luftuar për titullin e Premier League”, tha ai.
“Mënyra se si ai (De Zerbi) foli me mua dhe familjen time ishte shumë e rëndësishme. Ai më telefononte çdo ditë, prandaj jam shumë i lumtur që do të punoj me të dhe shpresoj se mund të arrijmë gjëra të mëdha.”
“Ishte më shumë çështje lidhjeje, sepse babai dhe nëna ime nuk flasin shumë mirë anglisht. Gjithçka kishte të bënte me ndjenjat.”
“Ai më tha se do të kujdesej për mua, se do të ishte babai im i dytë në Angli. Jam shumë i lumtur që do të punoj me të.”
Fernandes foli edhe për ndikimin që pati bashkëkombësi i tij, Pedro Porro.
“Ai më telefonoi një ditë, por nuk iu përgjigja sepse isha në gjumë. Më tha në portugalisht: ‘Hajde Mateus, duhet të luash me ne, ne të duam këtu. Ishte ideja ime t’i thosha trajnerit të të transferonte.’”
“Pastaj, kur gjithçka u përfundua, bisedova me të për klubin, mentalitetin e ekipit dhe bashkëlojtarët. Ai është një lojtar shumë i rëndësishëm. Është një nga mbrojtësit e djathtë më të mirë në botë dhe një njeri fantastik.”
Pavarësisht rënies së West Hamit nga Premier League, Fernandes ishte një nga mesfushorët më të mirë të kampionatit sezonin e kaluar për distancën e përshkuar në fushë.
22-vjeçari, që luan kryesisht si një mesfushor “numër 8” me tipare sulmuese, dallohet edhe për aftësinë për të çarë linjat kundërshtare me pasime të gjata në thellësi dhe depërtime me top.
Trajneri i Tottenhamit, Roberto De Zerbi, e lavdëroi shumë Fernandesin pas transferimit të tij.
“E kam admiruar Mateusin prej kohësh, sepse ai kombinon cilësinë me topin me intensitetin dhe inteligjencën që janë shumë të rëndësishme për mënyrën se si duam të luajmë.”
“Pavarësisht moshës së re, ai tashmë ka përvojë të mirë në Premier League dhe ka treguar cilësi e vazhdimësi në këtë nivel.”
“Mateusi ndihet rehat edhe nën presion, di ta avancojë topin, punon shumë për ekipin dhe ka guximin të bëjë diferencën në momentet e vështira. Besoj se ky është ambienti ideal që ai të vazhdojë zhvillimin e tij”./GazetaExpress/