Erik Lamela është regjistruar si përgjegjës i pajisjeve sportive për sezonin e ri, pasi klubi meksikan CF Monterrey ka shfrytëzuar një zbrazëti ligjore në rregullat e Liga MX, që i lejon atij të jetë pjesë e stafit teknik gjatë ndeshjeve.
34-vjeçari, i cili gjatë karrierës së tij 16-vjeçare ka luajtur për River Plate, Roma, Tottenham, Sevilla dhe AEK Athinë, njoftoi tërheqjen nga futbolli profesionist në gusht të vitit 2025.
Pas një beteje dhjetëvjeçare me dhimbjet në ijë, të cilat ndikuan edhe në mënyrën se si stërvitej, Lamela vendosi t’i japë fund karrierës dhe iu bashkua stafit teknik të Matias Almeydës te ish-klubi i tij, Sevilla.
Këtë sezon ai do të punojë sërish me Almeydën, por kësaj radhe te skuadra meksikane CF Monterrey.
Megjithatë, roli i tij do të jetë paksa ndryshe. Lamela ende nuk i ka kualifikimet e nevojshme si trajner për t’u regjistruar sipas Nenit 17.1 të rregulloreve të Liga MX, ndaj klubi ka gjetur një zgjidhje alternative për ta pasur në bankinë gjatë ndeshjeve.
Teksa është në proces të marrjes së licencës UEFA Pro, Lamela është regjistruar zyrtarisht si përgjegjës i pajisjeve sportive.
Gjatë pjesës më të madhe të karrierës së tij, Lamela vuajti nga dhimbje të vazhdueshme në ijë. Konsumimi i kërcit dhe osteoartriti i avancuar e detyruan të tërhiqej nga futbolli në fillim të të 30-ave.
“Dhimbjet e para nisën kur isha 22 vjeç dhe fillova të ndjeja shqetësime,” kishte deklaruar ai vitin e kaluar. “Në moshën 25-vjeçare iu nënshtrova operacionit, sepse nuk mund të garoja për shkak të dhimbjeve. Operacioni shkoi mirë dhe vazhdova të luaja.
“Por që nga ai moment gjithçka ishte ndryshe për mua, sepse ishte sikur më kishin zëvendësuar ijën. Nuk e pata më kurrë të njëjtën ijë si më parë.”
Në një intervistë për TyC Sports, Lamela pranoi se duhej të përballonte dhimbje të mëdha për të përfunduar çdo ndeshje.
“U tërhoqa për shkak të një problemi fizik që më kishte shqetësuar për një kohë të gjatë,” tha ai.
“Doja ta mbyllja karrierën në mënyrën më të mirë të mundshme, duke e shijuar sa më shumë, pavarësisht këtij problemi, i cili ishte mjaft i vështirë. Situata u bë edhe më serioze sepse së fundmi kisha konsumim të kërcit dhe osteoartrit të avancuar.
“Këto vitet e fundit ishin shumë më të vështira, sepse ija ime përkeqësohej vazhdimisht dhe nuk mund të stërvitesha më si dikur.”
Ai shtoi: “Pikërisht për këtë arsye më duhej ta ndryshoja mënyrën e stërvitjes, sepse nëse stërvitesha normalisht gjatë javës, nuk mund të luaja në ndeshje. Ija ime nuk arrinte më ta përballonte atë nivel ngarkese”./GazetaExpress/