Përplasja mes UEFA-s dhe FIFA-s ka hyrë në një fazë të re, pasi organi qeverisës i futbollit evropian deklaroi se presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka humbur besimin e tyre pas dështimit të projektit për të lejuar investime private në Kupën e Botës.
Plani i FIFA-s u tërhoq pas kundërshtimeve të forta nga konfederatat kontinentale, me UEFA-n që kishte paralajmëruar bojkotimin e të gjitha garave të FIFA-s nëse projekti do të vazhdonte.
Projekti parashihte krijimin e filialit komercial FIFA Forward Enterprise (FFE), i cili do të menaxhonte kompeticione si Kupa e Botës dhe Botërori i Klubeve. Përmes këtij modeli, FIFA synonte të siguronte deri në 4.2 miliardë dollarë, bazuar në një vlerësim prej 20 miliardë dollarësh të FFE-së.
Sipas planit, secila nga 211 federatat anëtare të FIFA-s do të përfitonte një pagesë të njëhershme prej 20 milionë dollarësh në fillim të vitit 2027, ndërsa fondet për ciklin 2027-2030 do të rriteshin nga 8 milionë në 20 milionë dollarë.
Megjithatë, pas reagimeve të ashpra, projekti u rrëzua plotësisht.
Në një deklaratë të fortë, UEFA theksoi se udhëheqja aktuale e FIFA-s “jo vetëm që ka humbur besimin e UEFA-s, por edhe të shumë pjesëtarëve të tjerë të familjes së futbollit”.
Sipas UEFA-s, Infantino ka shkelur premtimet që kishte bërë kur mori drejtimin e FIFA-s në vitin 2016, duke premtuar transparencë dhe se fondet e FIFA-s do të përdoreshin për të mirën e federatave anëtare.
“Marrëveshja e fshehtë, e errët dhe pa transparencë që u përpoq të impononte nuk kishte asgjë të përbashkët me transparencën”, thuhet në reagimin e UEFA-s.
UEFA shtoi se me rezervat financiare të FIFA-s që tashmë tejkalojnë 5 miliardë dollarë, nuk kishte asnjë arsye për të ndjekur një model të tillë privatizimi.
Organizata evropiane paralajmëroi gjithashtu se në javët në vijim do të bashkëpunojë me federatat anëtare dhe konfederatat e tjera për të analizuar mënyrën se si u zhvillua ky proces dhe për të siguruar që një situatë e tillë “të mos ndodhë më kurrë”.
Ky zhvillim konsiderohet një goditje e rëndë për Gianni Infantinon, i cili pritej të rikandidonte pa kundërshtar për një mandat të tretë dhe të fundit në krye të FIFA-s. Tensionet mes UEFA-s dhe FIFA-s ishin të dukshme edhe gjatë Kupës së Botës 2026, ku presidenti i UEFA-s, Aleksander Čeferin, bojkotoi finalen e turneut.
Në fund të deklaratës, UEFA e cilësoi tërheqjen e projektit si “një fitore për të gjithë futbollin”, por theksoi se puna për të rikthyer besimin te FIFA sapo ka filluar.