Restoranti Noma në Kopenhagë – i renditur shpesh ndër më të mirët në botë – po përgatitet të rihapet javën e ardhshme nën një drejtim të ri për herë të parë, që kur shefi i tij i famshëm dhe bashkëthemeluesi, René Redzepi, u tërhoq pas akuzave për abuzim fizik dhe psikologjik.
Shefi i ri ekzekutiv i kuzhinës, Pablo Soto, i cili ka punuar në restorant për gati një dekadë, tha se, megjithëse mbetet “i njëjti Noma”, janë bërë disa ndryshime të rëndësishme. Krahas një menuje të re mujore, që do të ndryshojë vazhdimisht dhe do të zëvendësojë menunë e mëparshme sezonale, ai theksoi se tani ka një fokus më të madh për t’u mundësuar punonjësve të kenë një ekuilibër më të mirë mes punës dhe jetës personale.
Redzepi, i cili ka kërkuar falje ndaj “atyre që kanë vuajtur nën drejtimin tim”, nuk është më i përfshirë në menaxhimin e përditshëm të restorantit, por Soto tha se ai do të vazhdojë të ketë ndikim në aspektin krijues.
Që nga hyrja e tij në skenën e gastronomisë në vitin 2003, Noma është shpallur pesë herë restoranti më i mirë në botë, ka fituar tre yje Michelin dhe ka evoluar disa herë, si në kryeqytetin danez ashtu edhe përmes restoranteve të përkohshme (pop-up) në vende të ndryshme të botës.
Por në fillim të këtij viti, ndërsa restoranti hapi një restorant të përkohshëm (pop-up) në Los Anxhelos, e gjithë organizata rrezikoi të shembej pas akuzave se René Redzepi kishte krijuar kushte abuzive pune – përfshirë goditje fizike, ulërima dhe poshtërim publik – gjatë periudhës 2009–2017. Njëri nga dhjetëra ish-punonjësit që folën për The Neë York Times tha se të shkoje në punë “ishte sikur të shkoje në luftë”.
Në përgjigje, Redzepi deklaroi:
“Edhe pse nuk i njoh të gjitha hollësitë e këtyre rrëfimeve, shoh mjaftueshëm nga sjellja ime e kaluar të pasqyruar në to për të kuptuar se veprimet e mia kanë qenë të dëmshme për njerëzit që punonin me mua. Të gjithë atyre që kanë vuajtur nën drejtimin tim, për shkak të gjykimit tim të gabuar ose zemërimit tim, u kërkoj falje sinqerisht dhe kam punuar për të ndryshuar”.
Pak ditë më vonë, mes vëmendjes së madhe të mediave ndërkombëtare, ai njoftoi se do të “tërhiqej” nga restoranti dhe se kishte dhënë dorëheqjen edhe nga organizata e tij jofitimprurëse, MAD.
Kur Noma të rihapet në Kopenhagë të mërkurën, restoranti do të përballet me një nga sfidat më të mëdha deri më tani, për herë të parë pa Redzepin në krye.
Duke bërë një pushim të shkurtër nga përgatitjet intensive për rihapjen, Pablo Soto tha:
“Është i njëjti Noma. Thjesht jemi kthyer në shtëpi – kjo është e vetmja gjë që ka ndryshuar.”