Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, ka pranuar se klubi ka bërë disa transferime të gabuara në vitet e fundit, por beson se drejtuesit aktualë janë njerëzit e duhur për ta rikthyer skuadrën në rrugën e suksesit.
Juventusi fitoi 2-0 ndaj Nice në një ndeshje miqësore, falë golave të Douglas Luiz dhe talentit të ekipit të të rinjve, Justin Oboavwoduo.
“Më pëlqeu shumë ajo që pashë sot. Sezonin e kaluar skuadra sulmonte edhe kur nuk kishte mbështetjen e mbrojtjes dhe mesfushës, kështu që ushtronte presion edhe kur pjesa tjetër e ekipit nuk ishte gati. Sot e bënë shumë më mirë këtë aspekt, mbushën hapësirat, rikuperuan topin dhe krijuan disa aksione interesante, edhe pse në disa momente e humbën topin paksa lehtë”, deklaroi Spalletti për “Sky Sport Italia”.
Trajneri foli edhe për Douglas Luiz, i cili është rikthyer te Juventusi pas periudhave në huazim te Nottingham Forest dhe Aston Villa dhe duket i vendosur të fitojë një tjetër mundësi.
“Ai u duk më i mprehtë dhe ndihmoi më shumë në mbulimin e mbrojtjes pasi shpërndante topin. Lëvizte më shpejt, dhe kjo është shumë e rëndësishme. Mund ta kisha lënë edhe pak më gjatë në fushë, por fakti që askush nuk pati probleme muskulore sot është një zhvillim pozitiv”, u shpreh ai.
Merkatoja e Juventusit ka qenë e qetë deri tani, por ditët e fundit klubi ka avancuar në negociatat për transferimin e Randal Kolo Muanit nga Paris Saint-Germain dhe anësorit të Bayer Leverkusenit, Kerim Alajbegovic.
Kur u pyet nëse pret përforcime të tjera para turneut veror, Spalletti dha një përgjigje që u interpretua si kritikë ndaj ish-drejtuesve Cristiano Giuntoli dhe Damien Comolli.
“Zyra ime është pranë Ottolinit dhe Massarës, ndaj e di gjithçka që po ndodh. Shoh përkushtimin e tyre dhe punën që po bëjnë në merkato.
Ata janë drejtues të njohur, me përvojë dhe kontakte të forta. Merkatoja është e komplikuar për shumë arsye. Ne kemi bërë disa transferime të gabuara në vitet e fundit, prandaj tani duhet t’i korrigjojmë ato gabime.
Ndryshe nga disa klube të tjera, ne nuk mund të paguajmë çdo shumë që kërkohet, ndaj duhet të shfrytëzojmë në maksimum mundësitë që kemi. Mendoj se drejtuesit që kemi tani janë perfektë”, deklaroi tekniku italian.
Marco Ottolini iu bashkua Juventusit si drejtor sportiv në janar, pasi u largua nga Genoa, ndërsa Frederic Massara u emërua drejtor teknik më 7 korrik.
Ndërkohë, Giovanni Carnevali mori detyrën e drejtorit ekzekutiv të klubit në muajin qershor, pasi u largua nga Sassuolo./GazetaExpress/