Të paktën 34 minatorë kanë humbur jetën pas një shpërthimi në një minierë qymyri në jugperëndim të Pakistanit, njoftuan autoritetet pakistaneze.
Shpërthimi vdekjeprurës i së enjtes, i cili ka të ngjarë të ketë ndodhur për shkak të grumbullimit të gazit metan, ndodhi në një minierë pranë Quetta-s, kryeqytetit të provincës Balochistan të Pakistanit. Rreth 40 minatorë ishin në vendngjarje në kohën e shpërthimit.
Zyrtari i lartë i minierave në qeverinë e Balochistanit, Ghani Baloch, tha se operacionet e kërkim-shpëtimit do të vazhdojnë derisa të gjenden të gjithë minatorët, por paralajmëroi se “mundësitë për të gjetur të mbijetuar zvogëlohen”, pasi shpërthimet e metanit konsumojnë shpejt oksigjenin.
Ekipet e shpëtimit po punojnë në një thellësi prej rreth 1,219 metrash nën tokë.
Ministri i Minierave dhe Mineraleve në Balochistan, Shoaib Nosherwani, shprehu ngushëllimet për familjet e viktimave dhe njoftoi kompensim prej 500 mijë rupish pakistaneze (rreth 1,800 dollarë ose 1,570 euro) për familjen e secilit viktimë. Ai premtoi gjithashtu një hetim për shkaqet e shpërthimit dhe një rishikim të masave të sigurisë në minierat e qymyrit në gjithë provincën, shkruan DW.