Zyrtari i lartë i Hamasit, Ghazi Hamad, konfirmoi për CNN se Hamasi ka arritur një marrëveshje me Bordin e Paqes për të hequr dorë nga armët e tij, me kusht që në Gaza të vendoset një Forcë Ndërkombëtare Stabilizimi dhe Izraeli të përmbushë detyrimet e tij sipas marrëveshjes së armëpushimit të tetorit.
“Marrëveshja është një paketë. Ne nuk do të fillojmë asnjë hap që lidhet me armët derisa Izraeli t’i zbatojë këto detyrime. Sinqerisht, nëse Izraeli nuk i zbaton ato, as ne nuk do të vazhdojmë”, tha Hamad.
Sipas tij, Izraeli duhet fillimisht të ndalojë luftimet, të ndërpresë të gjitha vrasjet e shënjestruara në Gaza, të tërheqë trupat e tij deri në të ashtuquajturën Vija e Verdhë (Yellow Line) dhe të lejojë hyrjen masive të ndihmave humanitare, në përputhje me marrëveshjen e armëpushimit të tetorit. Gjithashtu, Komiteti Kombëtar për Administrimin e Gazës (NCAG), një komitet palestinez teknokratësh i emëruar nga Bordi i Paqes, duhet të hyjë në Gaza dhe të marrë përsipër administrimin e Rripit të Gazës.
Hamad tha se NCAG do të marrë nën kontroll armët që i përkasin forcës policore të Hamasit në Gaza.
Ai ishte i prerë se armët e rënda të Hamasit nuk do të çaktivizohen dhe as nuk do të shkatërrohen, por do të ruhen nën mbikëqyrjen e Komitetit Kombëtar.
Megjithatë, Hamad ritheksoi se asnjë nga këto masa nuk do të ndërmerret nëse Izraeli nuk përmbush detyrimet e tij.
“Përvoja jonë me fazën e parë ishte shumë e keqe. Izraeli nuk e respektoi marrëveshjen dhe pati qindra, madje mijëra shkelje. Tani sfida u takon garantuesve – Shteteve të Bashkuara, Katarit, Turqisë dhe Egjiptit – që të sigurojnë 100 për qind se Izraeli do t’i respektojë dhe zbatojë plotësisht të gjitha pikat e marrëveshjes”, tha Hamad.
“Shpresoj që Izraeli ta miratojë atë – ne ende jemi në pritje”, shtoi ai./Express/