Një valë sulmesh me raketa dhe dronë rusë goditi Ukrainën gjatë natës, duke vrarë të paktën tetë njerëz dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë, në kohën kur presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po kthehej nga Shtetet e Bashkuara, ku tha se presidenti Donald Trump ishte pajtuar t’i jepte Ukrainës licenca për raketat Patriot.
Zelensky kishte paralajmëruar për një “sulm të madh” rus vetëm disa orë para se ai të ndodhte, duke e nënvizuar para partnerëve perëndimorë të Ukrainës nevojën për raketa Patriot, në mënyrë që vendi të mund të mbrohet nga sulme si ai që Rusia kreu më pas.
“Është e rëndësishme që partnerët tanë ta kuptojnë plotësisht se çfarë po ndodh dhe se mbrojtja e jetëve varet drejtpërdrejt nga gatishmëria, ose mungesa e gatishmërisë së tyre, për të na ndihmuar me raketa për mbrojtje ajrore”, shkroi ai në një postim në X.
Goditja më vdekjeprurëse ndodhi në rajonin e Dnipros, pranë qytetit të lindjes së Zelenskyt, Krivi Rih, ku një raketë balistike ruse Iskander-M vrau gjashtë njerëz, përfshirë tre fëmijë, dhe plagosi të paktën 10 të tjerë, sipas autoriteteve vendase.
Last night, a Russian missile strike on Radushne in the Dnipro region killed parents and three children. Two more children were pulled alive from under the rubble. It was an ordinary home, blown into smithereens by a ballistic missile… Rescue efforts are also underway in Lviv… pic.twitter.com/htxpbenMrA
— Volodymyr Zelenskyy / Володимир Зеленський (@ZelenskyyUa) July 30, 2026
Oleksandr Vilkul, kreu i Këshillit të Mbrojtjes së Krivi Rihut, e quajti atë “natë të errët”, pasi raketa goditi shtëpinë e një familjeje të madhe. Ai paralajmëroi se numri i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e emergjencës vazhdojnë largimin e rrënojave.
Në kryeqytetin Kiev, të paktën një person u vra në atë që kryetari i bashkisë, Vitali Klitschko, e përshkroi si një sulm me raketa balistike. Ai u bëri thirrje banorëve të qëndronin në strehimore, pasi rreziku nga sulme të tjera vazhdonte.
Në qytetin perëndimor të Lvivit, pranë kufirit me Poloninë, raketat ruse dëmtuan dhjetëra ndërtesa banimi dhe plagosën të paktën 30 njerëz, thanë zyrtarët.
Sipas kryetarit të bashkisë së Lvivit, Andriy Sadoviy, sulmi me raketa dëmtoi 21 ndërtesa banimi, dy kopshte fëmijësh dhe një shkollë, ndërsa dy njerëz u zhdukën.
“Pati shpërthim të madh – ishte tmerrues”, tha për Radion Evropa e Lirë një banore e Lvivit, banesa e së cilës u godit kur ajo ndodhej brenda gjatë sulmit.
“U fshehëm për një kohë dhe pritëm të shihnim se çfarë do të ndodhte më pas”, tha ajo, duke shtuar se kuzhina e banesës së saj ishte shkatërruar plotësisht, ndërsa edhe dhomat e tjera ishin dëmtuar.
Polonia, anëtare e Bashkimit Evropian dhe NATO-s, ngriti lart avionë luftarakë për të mbrojtur hapësirën e saj ajrore gjatë sulmeve ruse, njoftuan forcat e saj të armatosura në X.
Kryeministri polak, Donald Tusk, tha se gjatë sulmit me raketa ruse në Ukrainën perëndimore u shkel hapësira ajrore e Polonisë, dhe ai u detyrua ta mblidhte një ekip koordinues me ministrin e Mbrojtjes dhe shërbimet përkatëse.
Më vonë, Tusk shtoi se objekti që shkeli hapësirën ajrore polake ka shumë gjasa të ketë qenë një raketë lundruese ruse Kh-101. Ai tha se kishte kontaktuar udhëheqës evropianë lidhur me incidentin.
Ministria ruse e Mbrojtjes konfirmoi atë që e përshkroi si një sulm në shkallë të gjerë kundër Ukrainës, duke përdorur armë precize me rreze të gjatë veprimi, të lëshuara nga toka, ajri dhe deti.
Ajo njoftoi gjithashtu se sulmet e natës goditën një anije mallrash në portin e Pivdennit dhe dy anije të tjera mallrash pranë Odesës, të cilat, sipas pretendimeve të saj, po transportonin armë dhe pajisje ushtarake.
Ukraina kryen sulme ndaj Wildberries, “Amazonit” rus
Ndërkohë, forcat ukrainase vazhduan të godasin depot kryesore të kompanisë Wildberries në disa rajone të Rusisë. Wildberries konsiderohet gjerësisht si ekuivalenti rus i gjigantit global të tregtisë elektronike, Amazon.
Më 30 korrik, një sulm me dron shkaktoi zjarr në një depo të Wildberries në rajonin rus të Penzës, tha guvernatori Oleg Melnichenko, ndërsa zyra për shtyp e kompanisë raportoi gjithashtu një sulm ndaj një objekti tjetër në Sarapul, në rajonin rus të Udmurtisë.
Javët e fundit, forcat ukrainase kanë goditur disa depo të mëdha të Wildberries në rajone të ndryshme të Rusisë, pasi Kievi pretendon se kompania përdoret për transportimin e mallrave që lidhen me ushtrinë.
Sipas raportimeve mediatike, fushata ukrainase me dronë mund të ketë ndërprerë rreth 10 për qind të kapacitetit të përgjithshëm të depove të Wildberries, duke ndikuar potencialisht në rrjetin logjistik të kompanisë në gjithë Rusinë. /REL