Në Xerxë të Rahovecit po shënohet sezoni më i suksesshëm i grumbullimit të grurit ndër vite. Në M & Sillosi, njësi e Devolli Corporation, këtë vit është regjistruar rendiment rekord, me prodhim vendor që, sipas përfaqësuesve të kompanisë, ka tejkaluar pritjet.
Qindra fermerë nga Rahoveci dhe komunat përreth kanë dorëzuar grurin në këtë qendër grumbullimi, duke bërë që sasia e pranuar të dyfishohet krahasuar me vitet e kaluara. Nga rreth 30 mijë tonë që grumbulloheshin disa vite më parë, sivjet kalon në mbi 60 mijë tonë.
Përfaqësuesi i M & Sillosit, Blend Broqi, thotë se kompania po i afrohet një shifre historike.
“Fatmirësisht jemi duke shkuar drejt shifrave rekord të pranimit dhe deponimit të grurit, mbi 60 mijë tonë. Një gjë që dëshirojmë t’ua sigurojmë secilit fermer është se ne nuk e përfundojmë kurrë grumbullimin e grurit vetëm në qershor e korrik”, deklaroi Broqi.
Përveç grumbullimit, kompania ka paralajmëruar edhe hapjen e një qendre tregtare bujqësore, “Agrocenter”, e cila do t’u ofrojë fermerëve fara, plehra dhe produkte të tjera për bujqësi.
“Qendrën tregtare bujqësore e kemi emëruar ‘Agrocenter’, ku fermerët do të mund të furnizohen me produkte bujqësore, fara dhe plehra”, tha ai.
Broqi shtoi se edhe cilësia e grurit të dorëzuar gjatë sezonit 2026 ka qenë shumë e lartë.
“Cilësia e grurit është shumë e lartë sivjet”, u shpreh ai.
Sipas përfaqësuesve të kompanisë, sezoni i sivjetmë përbën një nga sukseset më të mëdha të prodhuesve vendorë të grurit, ndoshta edhe rajonal, si për nga sasia ashtu edhe për nga cilësia e prodhimit. /Klankosova.tv
