E ardhmja e Kristjan Asllanit mbetet ende e paqartë, pas huazimit që e kaloi tek Besiktasi.
Mesfushori shqiptar është rikthyer te Interi pas përfundimit të huazimit, por nuk bën pjesë në planet e klubit zikaltër për sezonin e ri dhe pritet të largohet gjatë këtij afati kalimtar.
Sipas raportimeve të “Tuttomercatoweb”, Sassuolo vazhdon ta ndjekë me interes 23-vjeçarin shqiptar, por aktualisht nuk është në gjendje ta përmbushë kërkesën ekonomike të Interit për një transferim përfundimtar, përcjell “Gazeta Express”.
Klubi zikaltër e vlerëson Asllanin rreth 15 milionë euro, një shumë që konsiderohet e lartë për mundësitë financiare të klubit Gjelbër e Zi.
Për këtë arsye, drejtuesit e klubit emilian po e studiojnë një formulë alternative për ta sjellë mesfushorin në “Mapei Stadium”.
Ideja që po fiton terren është një huazim, me të drejtë ose detyrim blerjeje në fund të sezonit, formulë që do t’ia lejonte Sassuolos ta përballonte më lehtë operacionin financiar.
Asllani shihet si një profil ideal për ta përforcuar mesfushën e skuadrës, ndërsa vetë lojtari dëshiron ta gjejë një ekip ku mund të ketë më shumë hapësira për të luajtur rregullisht.
Në ditët në vijim priten kontakte të reja mes dy klubeve për ta kuptuar nëse Interi do ta pranojë formulën e huazimit apo do të vazhdojë të insistojë për një shitje të menjëhershme. /Gazeta Express