FIFA ka hapur një procedurë disiplinore ndaj Federatës së Futbollit të Argjentinës pas një sërë incidentesh të regjistruara gjatë Kupës së Botës 2026, mes tyre edhe shfaqja e një pankarte me përmbajtje politike pas ndeshjes gjysmëfinale kundër Anglisë.
Pas fitores 2-1 në Atlanta, futbollistët argjentinas festuan kualifikimin në finale duke ekspozuar një pankartë me mbishkrimin “Las Malvinas son Argentinas” (“Malvinat janë argjentinase”), mesazh që lidhet me Ishujt Falkland. Këta ishuj administrohen nga Mbretëria e Bashkuar, ndërsa Argjentina vazhdon t’i konsiderojë pjesë të territorit të saj.
Rregullorja disiplinore e FIFA-s ndalon përdorimin e garave sportive për mesazhe apo demonstrime që nuk lidhen me futbollin. Për këtë arsye, veprimi i lojtarëve argjentinas nxiti reagime politike si në Britaninë e Madhe, ashtu edhe në Argjentinë dhe vende të tjera.
Autoritetet britanike ritheksuan se Ishujt Falkland janë territor britanik. Ndërkohë, Andrew Giuliani, i cili drejton grupin e punës së Shtëpisë së Bardhë për FIFA-n, doli në mbështetje të futbollistëve argjentinas, duke deklaruar se Shtetet e Bashkuara e konsiderojnë lirinë e shprehjes një vlerë themelore.
Kjo nuk është hera e parë që Federata Argjentinase përballet me masa nga FIFA për një rast të ngjashëm. Në vitin 2014, ajo u gjobit me 20 mijë funte pasi lojtarët shpalosën një pankartë me të njëjtin mesazh para një ndeshjeje miqësore kundër Sllovenisë.
Megjithatë, hetimi nuk kufizohet vetëm te kjo pankartë. FIFA ka ngritur akuza edhe për sjellje diskriminuese, vonesa në nisjen e ndeshjeve, shkelje të protokolleve të organizimit dhe sigurisë, përdorim të mesazheve të papërshtatshme nga lojtarët dhe tifozët, si edhe për hedhjen e objekteve në fushë gjatë disa sfidave të turneut.
Në fokus të hetimeve janë edhe incidentet që ndodhën pas finales së humbur 1-0 ndaj Spanjës, kur festimet e kampionëve u shoqëruan me tensione dhe përplasje mes futbollistëve të dy ekipeve.
Mesfushori Leandro Paredes akuzohet për tri raste të sulmit fizik sipas Kodit Disiplinor të FIFA-s, pasi gjatë incidenteve u pa duke rrëzuar në tokë futbollistin spanjoll Eric Garcia. Nga ana tjetër, Nahuel Molina përballet me dy akuza për sulm – një të realizuar dhe një të tentuar – si dhe me një akuzë për sjellje josportive.
Procedurat disiplinore kanë përfshirë edhe ndihmëstrajnerin Roberto Ayala, i cili akuzohet për sulm fizik, ndërsa Thiago Almada, edhe pse nuk u aktivizua në finale, po hetohet për sjellje josportive. Në listën e lojtarëve nën hetim figuron edhe mesfushori i Spanjës, Gavi, për të njëjtën shkelje.
FIFA ka konfirmuar se të gjithë personat e përfshirë në këtë proces do të kenë mundësi të paraqesin argumentet dhe mbrojtjen e tyre përpara se Komisioni Disiplinor i organizatës të marrë vendimin përfundimtar në një fazë të mëvonshme.
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...