Fëmijëve nën moshën 16-vjeçare do t’u ndalohet blerja e pijeve energjike me përmbajtje të lartë kafeine në Angli, ndërsa shitësit që shkelin rregullat mund të gjobiten deri në 2,500 paund.
Sipas planit të publikuar nga qeveria britanike, ndalimi do të zbatohet për pijet që përmbajnë më shumë se 150 miligramë kafeinë për litër.
Rregullat nuk do të përfshijnë çajin dhe kafenë, ndërsa jashtë kufizimit do të mbeten edhe pijet freskuese me nivele më të ulëta kafeine, si Coca-Cola, Coca-Cola Zero, Diet Coke dhe Pepsi.
Megjithatë, pijet energjike të njohura si Red Bull, Monster, Relentless dhe Prime e tejkalojnë kufirin e përcaktuar dhe nuk do të lejohen t’u shiten personave nën 16 vjeç.
Shitësit rrezikojnë gjoba deri në 2,500 paund
Përgjegjësia për verifikimin e moshës do t’u takojë shitësve. Bizneset që nuk i respektojnë kufizimet e reja mund të përballen me gjoba deri në 2,500 paund.
Vlerësohet se rreth 100 mijë fëmijë në Angli konsumojnë të paktën një pije energjike me përmbajtje të lartë kafeine çdo ditë.
Qeveria synon që përmes këtyre rregullave të ndikojë në uljen e mbipeshës te fëmijët dhe të parandalojë probleme të tilla si çrregullimi i gjumit, ankthi, mungesa e përqendrimit dhe rezultatet më të dobëta në shkollë.
Ndalimi pritet të hyjë në fuqi në prill të vitit 2027, nëse miratohet nga Parlamenti. Rregullat do të zbatohen përmes kompetencave të përcaktuara në Ligjin për Sigurinë Ushqimore të vitit 1990.
“Pijet me shumë kafeinë nuk duhet të jenë në duart e fëmijëve”
Ministrja britanike e Shëndetit Publik, Sharon Hodgson, deklaroi se pijet energjike me përmbajtje të lartë kafeine nuk janë të përshtatshme për fëmijët.
“E dimë se mijëra fëmijë në Angli i konsumojnë ato çdo ditë, por provat tregojnë qartë se mund të shkaktojnë ankth, të ndikojnë në gjumë dhe përqendrim, si dhe të kenë pasoja negative në arsimimin e tyre”, tha ajo.
Sipas ministres, ndalimi do t’ua kufizojë fëmijëve mundësinë për të blerë produkte që mund ta dëmtojnë shëndetin dhe mirëqenien e tyre.
Mësuesit e mirëpresin vendimin
Sindikata britanike e mësuesve, NASUWT, e ka mirëpritur vendimin, duke theksuar se prej vitesh kërkon ndalimin e shitjes së këtyre pijeve për fëmijët dhe të rinjtë.
Sekretari i përgjithshëm i sindikatës, Matt Wrack, deklaroi se mësuesit dhe drejtuesit e shkollave i shohin çdo ditë pasojat që pijet energjike mund të kenë në sjelljen dhe përqendrimin e nxënësve.
“Ka kaluar më shumë se dy vjet që kur Keir Starmer premtoi se një qeveri laburiste do ta kufizonte qasjen e fëmijëve dhe të rinjve në pijet energjike. Këto masa janë vonuar shumë”, u shpreh Wrack.
Industria e pijeve e quan ndalimin të panevojshëm
Shoqata Britanike e Pijeve Freskuese, BSDA, e kundërshtoi vendimin, duke e cilësuar ndalimin si të panevojshëm.
Sipas saj, kompanitë anëtare kanë zbatuar prej vitesh një kod vullnetar për shitjen e përgjegjshme të pijeve energjike.
Që nga viti 2010, prodhuesit janë zotuar të mos i reklamojnë apo promovojnë këto produkte për personat nën 16 vjeç, ndërsa pijet me përmbajtje të lartë kafeine mbajnë paralajmërimin se nuk rekomandohen për fëmijët.
Shoqata pretendon se pjesa më e madhe e kafeinës së konsumuar nga fëmijët dhe adoleshentët vjen nga burime të tjera dhe jo nga pijet energjike.
Prime u shndërrua në fenomen mes adoleshentëve
Pija Prime fitoi popullaritet të jashtëzakonshëm pas prezantimit të saj nga yjet e YouTube-it, KSI dhe Logan Paul.
Në vitin e parë të aktivitetit, marka raportohet se gjeneroi rreth 200 milionë paund, ndërsa kërkesa e madhe krijoi radhë të gjata jashtë supermarketeve.
Suksesi i saj u lidh kryesisht me popullaritetin e themeluesve mes të rinjve dhe bashkëpunimet me klube të njohura futbolli, përfshirë Bayern Munichun dhe Arsenalin.
Masat për pijet energjike janë pjesë e përpjekjeve më të gjera të autoriteteve britanike për ta kufizuar ekspozimin e të rinjve ndaj produkteve dhe shërbimeve që mund të ndikojnë negativisht në shëndetin dhe mirëqenien e tyre. /GazetaExpress/