Shkruan: Fadil Sahiti
Me dekada politikanët britanikë janë përpjekur të gjejnë një rrugë që çon në rritje ekonomike. Shpesh janë detyruar, në heshtje, të menaxhojnë të kundërtën, stagnimin ekonomik, i cili nuk ka ndryshuar, pavarësisht qeverive, të majta dhe të djathta, kryeministrave, gjuhës dhe sloganeve politike. Por ajo që kishte filluar të ndryshonte në Britani ishte perspektiva mbi shkaqet e stagnimit.
Njerëzit e zakonshëm po fillonin të kuptonin se në shtetin ishullor, pasuria e kombit është e përqendruar në Londër, e mundësitë ekonomike janë në juglindje të vendit. Rajonet, madje edhe aty ku dikur filloi revolucioni industrial, janë lënë pas dore. Përveç premtimeve politike për ringjallje, strategjive dhe programeve të zhvillimit, këto rajone nuk kanë përfituar asgjë nga qeveria qendrore në Westminster. Harta e pasurisë në kombin ishullor ka vazhduar të bëhet gjithnjë e më e pabarabartë. Londra dhe disa rajone përreth janë bërë pjesë e ekonomisë globale, ndërsa të tjerët vazhdojnë ta vëzhgojnë procesin nga distanca..#
Në përgjithësi, ky është sfondi që ka ndikuar në ngritjen politike të njërit prej politikanëve më interesantë të dekadave të fundit në Britani, Andy Burnham. Ngritja e tij politike nuk duket të jetë thjesht rezultat i këmbënguljes së një politikani ambicioz. Kjo ngritje mishëron një besim në rritje midis njerëzve se problemi qendror i zhvillimit në Britani nuk është më ideologjik, por, paradoksalisht, gjeografik. Pushteti është shumë i centralizuar në një qendër të vetme gjeografike, Westminster, dhe shumë pak është shpërndarë në rajonet ku njerëzit jetojnë dhe punojnë.
Laburisti Burnham ka përfituar nga ky besim që ngjall pakënaqësi, të cilin ai po përpiqet ta adresojë përmes konceptit të tij, i njohur tani si “Mançesterizëm”.
Si koncept politik, tingëllon i paqartë, madje pak i çuditshëm. Disa e përshkruajnë më shumë si një markë, një slogan politik, sesa si një filozofi politike koherente. Megjithatë, një analizë e thjeshtë, por e detajuar, sugjeron se idetë e Burnham-it ka të ngjarë të trondisin vetë thelbin e modelit ekzistues britanik të qeverisjes.
“Mançesterizmi” i tij është i rrënjosur në një vëzhgim të mprehtë empirik: historikisht, problemet lokale rrallë janë zgjidhur nga institucionet qendrore. Sipas këtij koncepti, një nëpunës civil ose një ministër në Whitehall mund të ketë njohuri të thella teorike mbi politika industriale, por jo edhe dije praktike se si të zgjidhen problemet e përditshme të transportit, strehimit, akumulimit të aftësive, shëndetit dhe problemeve të punësimit në Greater Manchester, Liverpool, Birmingham, Leeds ose Newcastle.
Rebelizmi politik i “Mançesterizmit” qëndron pikërisht këtu: pushteti politik duhet të jetë më afër qytetarit, problemeve të tij; vendimet politike për të ardhmen nuk duhet të merren nga qendra, por nga vetë rajonet. Decentralizimi nuk duhet parë thjesht si një reformë administrative, por si një mekanizëm politik përmes të cilit gjenerohet ripërtëritja ekonomike dhe sociale.
Dhe, Burnham e bazon konceptin e tij në përvojën e tij politike. Si guvernator i Mançesterit të Madh, ka reformuar transportin publik duke e vendosur atë nën një kontroll më të madh lokal; zyrtarëve lokalë ju ka dhënë rol më aktiv në politikën e strehimit, zhvillimin e aftësive lokale dhe planifikimin ekonomik. Thënë thjesht, vendimet e rëndësishme politike nuk i ka bazuar vetëm nga sinjalet e tregut ose direktivat nga lart. Ky model qeverisës ka anashkaluar dy paradigmat mbizotëruese të qeverisjes në Britani, njëra e rrënjosur në ligjet e tregut si një mekanizëm që zgjidhë pabarazitë rajonale, dhe tjetra në besimin se qeveria qendrore, në këtë rast Whitehall, e di më mirë se çfarë është më e mira për rajonet.
Burnham propozon një sistem të tretë qeverisjeje, e bazuar në thelb në nivel lokal, e aftë për të koordinuar burimet e zhvillimit sipas nevojave lokale. Disa nga mbështetësit e tij e quajnë këtë model “socializëm miqësor ndaj biznesit”; të tjerë e kualifikojnë atë si rajonalizëm pragmatik. Megjithatë, një gjë duket e qartë. “Mançesterizmi” synon të ndërtojë të ardhmen e vendit përtej argumenteve tashmë të harxhuara të epokës Thatcher-Blair.
Idetë e Burnham nuk janë krejt unike. Ide të ngjashme janë zbatuar në disa ekonomi të suksesshme në botë (Koreja e Jugut, Tajvani, Singapori), të cilat kishin kuptuar se transformimi ekonomik rrallë vjen vetëm nga planifikimi qendror, ose vetëm nga tregu. Burimi i transformimit është eksperimentimi lokal, të mësuarit institucional dhe aftësia e qeverive qendrore për të punuar ngushtë me firmat, universitetet, shoqërinë civile, etj.
A mund të mësojë Kosova nga përvoja e Britanisë së Madhe? Edhe pse ndryshimet historike, gjeografike dhe ekonomike janë të dukshme, sfidat tona të zhvillimit kanë ngjashmëri në disa aspekte. Për shembull, ka politikanë në vendin tonë që besojnë se zhvillimi ekonomik është çështje e politikave, strategjive dhe programeve qendrore, burimeve natyrore dhe fondeve financiare. Përvoja na tregon se kjo qasje është e gabuar. Burimi i zhvillimit nuk janë vetëm burimet që kemi, ose sa para janë të disponueshme në thesarin e shtetit. Burimi kryesor i zhvillimit është aftësia për të menaxhuar këto burime. Dhe menaxhimi i suksesshëm sot kërkon qeverisje të koordinuar me të gjithë aktorët e zhvillimit, duke përfshirë firmat, qeveritë lokale, institucionet arsimore, komunitetin e diasporës, donatorët e kështu me radhë.
Parë nga kjo perspektivë, “Mançesterizmi” i Burnham-it duket më pak një slogan politik dhe më shumë një filozofi e re e qeverisjes. Ideja e saj themelore është se vendimet e mira politike bazohen në decentralizim dhe koordinim. Jo sepse qeveritë lokale dhe aktorët e tjerë të zhvillimit janë në thelb më të zgjuar se qeveritë kombëtare. Mund të mos jenë. Por ato kanë diçka që qeverive qendrore shpesh u mungon, afërsia me probleme.
Shkrimtari britanik Orwell thoshte se pushteti politik ka tendencë shkëputjeje nga realiteti. Sa më shumë largohen politikanët nga problemet lokale, aq më lehtë do ta ngatërrojnë ambicien me arritjet e tyre politike. “Mançesterizmi” duket, në thelb, të jetë një revoltë kundër kësaj tendence.
Si përfundim, ngritja politike e Burnham-it në pushtet në Partinë Laburiste mund të sinjalizojë, ndër të tjera, një gjë. E ardhmja e qeverisjes nuk do t’u përkasë më politikanëve që kanë tendencë të qeverisin gjithçka vetë dhe nga qendra, por atyre që janë me këmbë në tokë; “n‘tokë t‘bukës”, siç thotë një shprehje popullore.
Zbuloni si ndërtohet cilësia përmes mbi 1.000 kontrolleve, testimeve të pavarura dhe respektimit të standardeve strikte të Bashkimit Evropian.*...