Nëse Julian Alvarezi kompleton transferimin nga Atletico Madridi te Barcelona, Arsenali mund të përfitojë duke siguruar shërbimet e një sulmuesi shumë të vlerësuar, i cili mund t’i shndërrojë “Topçinjtë” në forcën dominuese të Premierligës sezonin e ardhshëm.
Pavarësisht humbjes 4-3 me penallti ndaj PSG-së në finalen e Ligës së Kampionëve të shtunën (30 maj), Mikel Arteta mund ta shikojë me krenari sezonin 2025/26, pasi e udhëhoqi Arsenalin drejt titullit të parë të Premierligës që nga viti 2004.
Megjithatë, klubi londinez tashmë po planifikon sezonin e ardhshëm, me afatin kalimtar veror që do të hapet më 15 qershor.
Edhe pse merkatoja nuk është hapur zyrtarisht, klubet kanë nisur lëvizjet e tyre.
Newcastle dhe Barcelona arritën marrëveshje për transferimin e Anthony Gordon në Kataloni për 69.2 milionë paund më 29 maj.
Barcelona është lidhur gjithashtu me një transferim të përhershëm të Marcus Rashfordit pas huazimit të tij njëvjeçar, ndërsa raportohet se ka bërë edhe një ofertë prej 77.9 milionë paundësh për sulmuesin e Atletico Madridit, Julian Alvarez, e cila është refuzuar.
Mediat katalanase raportojnë se një marrëveshje është diskutuar mes palëve, megjithëse Atletico mohon se ka marrë ndonjë ofertë zyrtare.
Alvarezi, i cili iu bashkua Atletico Madridit nga Manchester City për 81 milionë paund në vitin 2024, ka regjistruar 49 gola dhe 17 asistime në 106 paraqitje nën drejtimin e Diego Simeones.
Ai ka tërhequr interesim edhe nga PSG-ja, megjithatë raportime kontradiktore të së hënës (1 qershor) sugjerojnë se interesi i kampionëve evropianë është ftohur.
Sipas “TEAMtalk”, e ardhmja e Ferran Torresit te Barcelona mund të varet nga ardhja e mundshme e Alvarezit.
Kjo ka alarmuar disa klube të Premierligës, përfshirë Arsenalin, Chelsean dhe Aston Villan.
Torresi, i cili ashtu si Alvarezi ka luajtur më parë për Manchester Cityn dhe ka punuar me Artetën kur spanjolli ishte trajner në klubin anglez, ishte një figurë kyçe në triumfin e Barcelonës në La Liga sezonin e kaluar, duke kontribuar me 21 gola dhe tri asistime në të gjitha garat.
26-vjeçari raportohet se nuk është i kënaqur me spekulimet për ardhjen e Alvarezit dhe nuk dëshiron të ketë rol dytësor nëse argjentinasi transferohet në “Camp Nou”, duke krijuar kështu mundësinë për një largim gjatë kësaj vere.
Trajneri Hansi Flicku dhe drejtuesit e Barcelonës vazhdojnë të jenë të interesuar edhe për Rashfordin, gjë që mund t’ia zvogëlojë edhe më shumë minutazhin Torresit nëse arrihet marrëveshja me Manchester Unitedin.
Trajneri i Arsenalit, Mikel Arteta, thuhet se është prej kohësh admirues i Torresit dhe ruan një marrëdhënie të mirë me të që nga koha e tyre te Manchester City.
Pas finales së Ligës së Kampionëve, gazetari i “The Athletic”, David Ornstein, deklaroi se krahu i majtë i sulmit është prioriteti kryesor i Arsenalit në këtë merkato.
Edhe pse është sulmues, Torresi mund të luajë me sukses në të dy krahët e repartit ofensiv.
Duke folur për “TNT Sports”, Ornstein shpjegoi se Arsenali ndodhet në një pozicion shumë të fortë financiar për të investuar fuqishëm për sezonin 2026/27.
“Të ardhurat e Arsenalit po rriten jashtëzakonisht shumë. Klubi po kalon një periudhë të artë. Pas ndërtimit të ‘Emirates Stadium’ pati vështirësi dhe fitimet vinin kryesisht nga shitja e lojtarëve më të mirë. Në shtatë vitet e fundit kanë regjistruar humbje sepse familja Kroenke ka mbështetur Artetën në merkato. Ata kanë investuar shumë dhe madje kanë futur edhe paratë e tyre. Kërkonin sukses të menjëhershëm dhe kjo strategji ka rezultuar e suksesshme”, tha Ornstein.
Përveç klubeve të Premierligës, edhe trajneri i Comos, Cesc Fàbregas, është admirues i Ferran Torresit dhe dëshiron ta transferojë atë përpara sezonit të parë të klubit italian në Ligën e Kampionëve.
Torresi ka kontratë me Barcelonën deri në vitin 2027 dhe raportohet se fiton rreth 250 mijë euro (216 mijë paund) në javë, përfshirë bonuset./GazetaExpress/