Një nga karrierat më të gjata dhe më të respektuara në futbollin anglez ka marrë fund.
Mesfushori anglez, James Milner, ka njoftuar për tërheqjen nga futbolli në moshën 40-vjeçare, duke e mbyllur një rrugëtim profesional që zgjati 24 vjet, shkruan “Gazeta Express”.
Milner largohet si futbollisti me më shumë paraqitje në historinë e Premierligës.
Në shkurt të vitit 2026 ai e theu rekordin e mbajtur nga Gareth Barry dhe e çoi numrin e ndeshjeve të tij në elitën angleze në 658.
Gjatë karrierës së tij ai i veshi fanellat e Leeds United, Newcastle United, Aston Villa, Manchester City, Liverpool dhe Brighton & Hove Albion.
Arritjet e tij janë të jashtëzakonshme: 12 trofe madhorë, përfshirë tre tituj të Premierligës, një Champions League, FA Cup, League Cup dhe trofe të tjerë kombëtarë e ndërkombëtarë.
Ai i zhvilloi gjithashtu 61 ndeshje me kombëtaren e Anglisë.
Në mesazhin e lamtumirës, Milner u shpreh se ndihet krenar për gjithçka që ka arritur në futboll dhe se mbi të gjitha do t’i ruajë kujtimet dhe miqësitë e krijuara gjatë karrierës së tij.
Një rekord që mund të qëndrojë për shumë vite: 658 ndeshje në Premierligë dhe 12 trofe të fituar, shifra që e bëjnë James Milnerin një nga legjendat më të mëdha të futbollit anglez. /Gazeta Express