Roma e ka vendosur Mason Greenwoodin si objektivin kryesor për të përforcuar repartin ofensiv dhe raportohet se po përgatit një ofertë prej 40 milionë eurosh për sulmuesin e Olympique Marseille.
“Giallorossët” kanë një buxhet më të madh se zakonisht këtë verë, pasi siguruan kualifikimin në Ligën e Kampionëve për herë të parë pas shtatë vitesh.
Trajneri Gian Piero Gasperini ishte ankuar sezonin e kaluar për mungesën e sulmuesve të përshtatshëm për stilin e tij të lojës, duke theksuar se ndryshimi pas ardhjes së Donyell Malen nga Aston Villa në janar ishte i jashtëzakonshëm.
Tani, Gasperini e sheh Greenwoodin si përforcimin ideal për sulmin, veçanërisht pasi anglezi mund të largohet nga Marseille për shkak të vështirësive financiare të klubit francez.
Sipas “Le10Sport” në Francë dhe “Gazzetta dello Sport” në Itali, Roma po përgatit një ofertë fillestare prej 40 milionë eurosh plus bonuse për 24-vjeçarin, i cili luan kryesisht në krahun e djathtë të një sulmi me tre lojtarë.
Megjithatë, kjo ofertë mund të mos jetë e mjaftueshme, pasi Marseille po kërkon rreth 50-55 milionë euro për kartonin e tij.
Ish-reprezentuesi i Anglisë, i cili u formua në akademinë e Manchester Unitedit, e ringjalli karrierën e tij pas transferimit prej 26 milionë eurosh në Francë në vitin 2024.
Greenwoodi zhvilloi një sezon të shkëlqyer me Marseille, duke realizuar 26 gola dhe 11 asistime në 45 ndeshje zyrtare.
Si pjesë e marrëveshjes së transferimit të tij te Marseille, 40 për qind e shumës nga një shitje e ardhshme do t’i takojë Manchester United./GazetaExpress/