Gjakova me mbështetje masive për Vjosa Osmanin: Gjakova gjithmonë ka ditur të zgjedhë drejt - Gazeta Express
string(90) "gjakova-me-mbeshtetje-masive-per-vjosa-osmanin-gjakova-gjithmone-ka-ditur-te-zgjedhe-drejt"

Zgjedhjet

Gazeta Express

31/05/2026 19:23

Gjakova me mbështetje masive për Vjosa Osmanin: Gjakova gjithmonë ka ditur të zgjedhë drejt

Zgjedhjet

Gazeta Express

31/05/2026 19:23

Gjakova ka qenë nikoqire e tubimit të madh elektoral të Lidhjes Demokratike e Kosovës, ku qytetarëve të shumtë të pranishëm iu është drejtuar Presidentja e 6-të dhe kandidatja për presidente për mandat të dytë, njëherësh bartëse e listës së LDK-së, Vjosa Osmani. Ajo e nisi fjalën e saj duke lartësuar identitetin e pacenueshëm, dinjitetin dhe qëndresën historike të Gjakovës në çdo kohë.

“Jemi në një qytet që nuk flet vetëm me zë politik, por me zë kulture, me zë historie dhe me zë sakrifice. Gjakova është qytet që ka lindur poetë, ka rritur atdhetarë dhe ka mbajtur gjallë shpirtin e Kosovës në momentet më të rënda të saj”.

Nga ky ambient, Osmani, shpërfaqi nevojën imediate të shtetit për të gjetur rrugën e zhvillimit dhe bashkëpunimit të jashtëm, duke lënë pas konfliktet e brendshme dhe tendencat për izolim.

“Kosova sot ka nevojë për unitet, jo për ndarje. Ka nevojë për zhvillim, jo për stagnim. Ka nevojë për partneritet me botën demokratike, jo për izolim”.

Osmani vuri në qendër të fjalimit mirëqenien e qytetarëve dhe rëndësinë e hapjes së një kapitulli të ri zhvillimor, duke u bashkuar në këtë vizion me kryetarin e LDK-së.

“Qytetarët tanë jetojnë nga puna, e nuk jetojnë nga politika. Nga bizneset. Nga pagat. Nga arsimi. Nga siguria. Nga shpresa që fëmijët e tyre do të kenë më mirë se ata. Dhe për këtë arsye jemi këtu bashkë me Lumir Abdixhikun”.

Në këtë linjë, ajo rikujtoi përvojat e kaluara të shtetndërtimit, ku përparimi i vendit erdhi gjithnjë përmes ruajtjes së miqve ndërkombëtarë dhe ndjekjes së trashëgimisë rugoviane.

“Sa herë Kosova ka zgjedhur bashkimin, ka fituar. Sa herë Kosova ka zgjedhur partneritetin, ka fituar. Sa herë Kosova ka zgjedhur rrugën e Rugovës, ka fituar respekt dhe mbështetje ndërkombëtare”.

Përpara të pranishmëve në Gjakovë, bartësja e listës kërkoi reflektim dhe mobilizim për të përcaktuar me votë fatin e ardhshëm të vendit, duke kërkuar të mos lejohet humbja e perspektivës për gjeneratat e reja.

“Më 7 qershor është momenti i vendimit. Mes Kosovës që shihet si kaos, dhe Kosovës që ndërton. Mes Kosovës që vetizolohet dhe Kosovës që integrohet”.

Tubimi u përmbyll me mesazhet e qarta për angazhim të përbashkët elektoral në kutitë e votimit, nën thirrjen për fitoren e koalicionit dhe shtetit.

“Le të ngrihet Gjakova! Le të ngrihet Kosova! Le të fitojë Republika jonë! LDK 113 është adresa”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement