E ardhmja e Marcus Rashford vazhdon të mbetet e paqartë, teksa dëshira e sulmuesit anglez për të qëndruar te FC Barcelona po përballet me pengesa financiare.
Sipas raportimeve të Mail Sport, Rashford është i interesuar të vazhdojë karrierën në “Camp Nou”, por klubi katalanas nuk është i gatshëm të paguajë shumën e plotë të dakorduar me Manchester United për ta bërë transferimin e tij të përhershëm.
Barcelona raportohet se është e gatshme të ofrojë rreth 15 milionë euro, ndërsa opsioni i blerjes i parashikuar në marrëveshje arrin në 30 milionë euro. Kjo do të thotë se oferta e katalanasve është vetëm gjysma e shumës që kërkon Manchester United.
Nga ana tjetër, drejtuesit e klubit anglez nuk kanë treguar gatishmëri për të ulur kërkesat e tyre financiare, duke e lënë aktualisht operacionin në një ngërç të plotë.
Rashford vazhdon ta shohë Barcelonën si destinacionin e tij të preferuar, por pa një kompromis mes dy klubeve, transferimi rrezikon të mos realizohet gjatë kësaj vere.
Me merkaton që po hyn në një fazë vendimtare, mbetet të shihet nëse Barcelona dhe Manchester United do të arrijnë të gjejnë një gjuhë të përbashkët për një marrëveshje që do t’i mundësonte sulmuesit anglez të vazhdonte aventurën e tij në futbollin spanjoll.