Mbetjet e kurbanëve u lanë në tregun e kafshëve në Podujevë, punëtorë të "Pastrimi" u angazhuan për heqjen e tyre - Gazeta Express
string(110) "mbetjet-e-kurbaneve-u-lane-ne-tregun-e-kafsheve-ne-podujeve-punetore-te-pastrimi-u-angazhuan-per-heqjen-e-tyre"

Lajme

Gazeta Express

30/05/2026 14:13

Mbetjet e kurbanëve u lanë në tregun e kafshëve në Podujevë, punëtorë të “Pastrimi” u angazhuan për heqjen e tyre

Lajme

Gazeta Express

30/05/2026 14:13

Mbetjet e kurbanëve u lanë në tregun e kafshëve në Podujevë pas festës së Kurban Bajramit, duke shkaktuar kundërmim që arriti edhe deri te shtëpitë afër.

Të enjten për pastrimin e tyre u angazhuan edhe punëtorët e kompanisë “Pastrimi”, ndërsa Inspektorati Lomunal ka dalë në vendin e ngjarjes.

Udhëheqësi i Zyrës për Komunikim me Publikun në Komunën e Podujevës, Nexhat Tovërlani, i tha Gazetës Express, dje se Inspektorati Komunal do të monitorojë situatën jo vetëm në tregun e kafshëve, por edhe në pjesë të tjera të komunës ku u hasën mbetje shtazore.

“Është e vërtetë që si Inspektorat komunal kemi hasur në mbetje shtazore në tregun e kafshëve, por edhe në pjesë të tjera të Podujevës dhe që nga dita e enjte, në bashkëpunim edhe me Kompaninë Regjionale të Mbeturinave “Pastrimi”, kemi filluar heqjen e tyre dhe inspektorët komunalë edhe sot janë në terren për të monitoruar situatën”.

Tovërlani paralajmëroi masa për ata që i shkaktuan ato.

“Në rastet kur inspektorët identifikojnë ndotësit e mjedisit, normalisht që ndërmarrin masa ndaj tyre, ku përfshihen edhe gjobat mandatore. Për këtë, kërkojmë nga qytetarët që të jenë bashkëpunues dhe në raste të tilla të lajmërojnë inspektorët komunalë në mënyrë që të mund të ndërmarrim masa ndaj ndotësve të mjedisit”, tha ai.

Gazeta ka provuar të marrë një përgjigje edhe nga kompania “Pastrimi” për angazhimin e punëtorëve të tyre për pastrimin e mbetjeve shtazore, por ende s’ka marrë përgjigje.

Therja e kurbanëve jashtë thertoreve të licencuara është rreptësisht e ndaluar dhe përbën shkelje ligjore sipas rregullave sanitare.

Express po ashtu posedon video nga vendi i ngjarjes ku shihet duke u bërë pastrimi i mbetjeve, por nuk po i publikon për shkak të pamjeve të rënda.

Advertisement
Advertisement
Advertisement