Filozofi dhe profesori kosovar, Blerim Latifi, ka shkruar me rastin e vdekjes së filozofit e sociologut francez, Edgar Morin.
Latifi shkruan se Morin ka lënë një trashëgimi të pasur filozofike prej 90 veprash, duke e cilësuar kështu si një mendje briliante.
Profesori Latifi ka treguar se Morin në vitin 1999 kishte kërkuar që në Kosovë të realizohej ndërhyrje e shpejt dhe e fuqishme tokësore, meqë Kosova rrezikon të zbrazet krejtësisht.
“Në vitin 1999, gjatë ditëve të bombardimeve të NATO-s, kur dukej se Millosheviqi nuk po thyhej prej tyre, Edgar Morin shkruante se “ndërhyrja e shpejtë dhe e fuqishme tokësore është e domosdoshme dhe sa më shumë që vonohet kjo ndërhyrje, rritet rreziku që Kosova të zbrazet krejtësisht nga shqiptarët”.
Ishte ajo kohë kur, derisa ne po mundoheshim të qëndronim dhe të luftonim kundër makinerisë ushtarake serbe që e kishte kthyer Kosovën në tokë të djegur, mendimtarët më të mëdhenj në Perëndim po luftonin me publikun e vendeve të tyre për ta bindur në drejtësinë e kauzës sonë”, ka shkruar Latifi.
Postimi i plotë:
“Ndërhyni me trupa tokësorë në Kosovë”
Ngase kishte mbushur mbi një shekull jetë, filluan ta quanin “babëgjyshi intelektual i Francës”.
Sot, në moshën 104-vjeçare, Edgar Morin, qenka shuar, duke lënë pas një trashëgimi filozofike prej 90 veprash. Deri vonë, ai vazhdonte të shkruante, të merrte pjesë në debatet publike dhe të komentonte ngjarjet e ditës.
Një mendje briliante që dukej sikur kishte thyer ligjet e biologjisë.
Libri i tij “Të mendohet Europa” është realisht, në mos më i miri, njëri ndër tre-katër librat më të mirë të shkruar mbi idenë e Europës.
Në vitet nëntëdhjetë të shekullit të kaluar, Edgar Morin u bë anëtar i Komitetit të Kosovës në Paris, klubit të intelektualëve francezë që mbronin çështjen e Kosovës në politikën dhe opinionin publik francez, që tradicionalisht anonin nga qëndrimet proserbe.
Në vitin 1999, gjatë ditëve të bombardimeve të NATO-s, kur dukej se Millosheviqi nuk po thyhej prej tyre, Edgar Morin shkruante se “ndërhyrja e shpejtë dhe e fuqishme tokësore është e domosdoshme dhe sa më shumë që vonohet kjo ndërhyrje, rritet rreziku që Kosova të zbrazet krejtësisht nga shqiptarët”.
Ishte ajo kohë kur, derisa ne po mundoheshim të qëndronim dhe të luftonim kundër makinerisë ushtarake serbe që e kishte kthyer Kosovën në tokë të djegur, mendimtarët më të mëdhenj në Perëndim po luftonin me publikun e vendeve të tyre për ta bindur në drejtësinë e kauzës sonë.