Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, dhe partnerja e tij e supozuar, Alina Kabayeva, i kanë punësuar të paktën 20 dado të huaja, mësuese private dhe kujdestare të tjera për të ndihmuar në rritjen e dy djemve që besohet se janë bijtë e tyre. Shumica e të punësuarve janë nga shtete perëndimore, përfshirë disa shtetase të vendeve të NATO-s që janë në konflikt të thellë me Moskën për shkak të luftës në Ukrainë.
Familja ka shpenzuar qindra mijëra dollarë në vit për të mbajtur punonjëse që kujdesen për fëmijët dhe ua mësojnë atyre gjuhët angleze dhe gjermane, sipas një sasie të madhe dokumentesh dhe korrespondencash të shqyrtuara nga Systema, njësia hulumtuese ruse e Radios Evropa e Lirë (REL).
Dokumentet mbulojnë periudhën nga viti 2017 deri në fillim të vitit 2026 dhe përfshijnë një gamë të gjerë materialesh që lidhen me kërkimin, punësimin dhe punën e kujdestareve, si kontrata, emaile, fotografi dhe raporte të përditshme të dorëzuara nga të huajat mbi aktivitetet e tyre me fëmijët.
Ato ofrojnë një pamje të hollësishme mbi një aspekt të jetës së fshehtë familjare të Putinit dhe Kabayevës, kampiones olimpike të gjimnastikës ritmike nga viti 2004, për të cilën thuhet se është partnerja e tij e kamotshme dhe nëna e Ivanit, i lindur në vitin 2015, dhe Vladimirit, i lindur në vitin 2019.
Putini, 73 vjeç, ka dy vajza të rritura me ish-bashkëshorten Lyudmila, nga e cila u shkurorëzua në vitin 2014.
As ai dhe as Kabayeva, 43 vjeçe, nuk kanë konfirmuar se janë çift apo se kanë fëmijë bashkë, dhe Kremlini punon fort për ta mbajtur jetën private të Putinit larg syrit të publikut.
Putini e ka paraqitur luftën e Rusisë kundër Ukrainës, tashmë në vitin e pestë, si pjesë të një beteje civilizuese dhe një mbrojtje kundër asaj që ai pretendon se janë përpjekje të NATO-s dhe të asaj që ai e quan “Perëndimi kolektiv” për ta dobësuar ose shkatërruar Rusinë dhe për ta imponuar vullnetin e tyre mbi botën.
Në pushtet si president ose kryeministër që nga viti 1999, Putini i ka sulmuar rregullisht Uashingtonin, Perëndimin dhe NATO-n. Në vitet e fundit, propaganda shtetërore ruse ka demonizuar veçanërisht Britaninë dhe Bashkimin Evropian, ndërsa zyrtarë të lartë, përfshirë Putinin, kanë folur me përçmim për atë që ata e quajnë “anglo-saksonët”.
Menjëherë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës më 2022, Putini i sulmoi anëtarët e elitës ruse që, sipas tij, janë “të vendosur mendërisht” në Perëndim, duke paralajmëruar se kundërshtarët e Rusisë do t’i përdornin ata për “t’i shkaktuar dëm maksimal popullit tonë” dhe më pas do t’i flaknin tutje.
Të mësojnë djemtë të jenë “evropianë të arsimuar”
Megjithatë, një nga detyrat që u janë caktuar të huajve të punësuara për të ndihmuar në rritjen e djemve është që aftësitë e tyre në anglisht dhe gjermanisht të arrijnë shkallën e “evropianëve të arsimuar” përmes zhytjes së plotë në gjuhë, sipas materialeve të shqyrtuara nga Systema.
Numri më i madh i punonjëseve ka ardhur nga Gjermania, i ndjekur nga Afrika e Jugut, ndërsa të tjera kanë ardhur nga vende si Britania, Zelanda e Re, Austria, Irlanda dhe Bosnja e Hercegovina.
Gjermania dhe Britania janë anëtare të NATO-s dhe ndër mbështetëset më të forta të Ukrainës në mbrojtjen e saj kundër pushtimit rus. Ashtu si Gjermania, Austria dhe Irlanda janë anëtare të Bashkimit Evropian. Afrika e Jugut është anëtare e grupit BRICS së bashku me Rusinë, Kinën, Iranin dhe gjashtë vende të tjera.
Systema gjeti vetëm një referencë për një të punësuar në Rusi: një grua e angazhuar për t’i mësuar Ivanit muzikë dhe për t’ia mësuar kompozitorët si Sergei Prokofiev dhe Nikolai Rimsky-Korsakov.
Megjithatë, krahas përqendrimit tek gjuhët perëndimore, janë bërë edhe përpjekje formale për t’u siguruar që djemtë të mos mësojnë për çështje që lidhen me seksin, gjininë apo komunitetin LGBT. Këto janë tema me të cilat Putini është tallur duke i quajtur si “liri gjinore” dhe ka nënshkruar ligje që kufizojnë ashpër të drejtat e homoseksualëve, dhe i ka lidhur shpesh me Evropën dhe Perëndimin në komentet publike.
Kontratat e shqyrtuara nga Systema ua ndalojnë kujdestareve “imponimin e pikëpamjeve të tyre fetare, politike ose ideologjike” ndaj fëmijëve, ua ndalojnë diskutimin e çështjeve seksuale pa miratim paraprak dhe specifikojnë: “Mos prekni në asnjë rrethanë tema të lidhura me LGBT”.
Sipas materialeve, kufizime janë vendosur edhe mbi lirinë e lëvizjes së të huajave, duke sugjeruar se ato e kanë kaluar shumicën e kohës duke punuar në një rezidencë të izoluar presidenciale, mes Moskës dhe Shën Petersburgut, e njohur si Valdai, ku Putini ka kaluar shumë kohë gjatë viteve.
Ka gjithashtu prova se është kaluar kohë edhe në qytetin turistik të Detit të Zi, Soçi, ku ndodhet një tjetër rezidencë luksoze e përdorur nga Putini, Bocharov Ruchei. Por, në një hulumtim të publikuar në vitin 2025, Systema zbuloi se Putini e kishte përdorur rrallë atë rezidencë që nga viti paraprak, pasi sulmet me dronë ukrainas brenda Rusisë ishin bërë më të shpeshta.
Shërbimi rus i REL-it raportoi në prill se 27 instalime të mbrojtjes ajrore janë ngritur në zonën përreth kompleksit të Valdait, shumë prej tyre sisteme raketore Pantsir-S1.
Korrespondenca nga viti 2022 tregon se një mësuese e anglishtes, 58 vjeçe, e rritur në Kanada dhe me pasaporta irlandeze dhe britanike, u njoftua se nuk mund të shkonte në qytet për të bërë pazar apo “vizituar vende të ndryshme publike” gjatë kohës së lirë. “Përgatisni një listë të gjërave që ju nevojiten dhe ne do t’i blejmë dhe do t’jua japim pasi t’i trajtojmë me agjentë sigurie”, iu tha asaj.
Punonjëset u janë nënshtruar ekzaminimeve të hollësishme dhe të shpeshta mjekësore, dhe në oraret e punës së vitit 2018 shfaqen prova të karantinave të herëpashershme, para se të shpërthente pandemia COVID.
Ndër kufizimet e tjera, dokumentet tregojnë se atyre u është ndaluar të flasin me persona të jashtëm për punën e tyre ose të publikojnë informacione në rrjetet sociale. Ato tregojnë gjithashtu se mësueset private, dadot dhe ndihmëset e tjera janë detyruar të dorëzojnë raporte të hollësishme ditore mbi punën me djemtë.

As Putini dhe as Kabayeva nuk përmenden me emër në kontrata apo dokumente të tjera. Megjithatë, ka prova të shumta se ata janë “familja”, “prindërit” dhe “punëdhënësit” të përmendur vazhdimisht në materiale, përfshirë referenca me emër ndaj djalit të madh, Ivanit, dhe ndaj “të voglit”, me mosha që përputhen me ato të dy vëllezërve të supozuar.
Hulumtime të hollësishme
Systema ndërmori gjithashtu hapa të gjerë për të verifikuar provat në dokumente, duke analizuar fotografi, postime në rrjete sociale, regjistra fluturimesh dhe informacione të tjera publike që lidhen si me të huajat, ashtu edhe me njerëzit pranë Putinit dhe Kabayevës të përfshirë në punësimin e tyre.
Qendra për të Dhëna dhe Kërkime (DARC) me bazë në Berlin, një grup i pavarur ekspertësh që mbështet hetimet, deklaroi se vulat kohore dhe aspekte të tjera të dokumenteve të siguruara nga Systema nuk tregonin shenja falsifikimi apo hollësi të dyshimta, por se do të ishte e vështirë të flitej për autenticitet absolut.
Familja filloi të kërkonte ndihmë jashtë vendit në vitin 2017, vit kur Ivani mbushi dy vjeç, dhe deri në vitin 2018 programi i tij përfshinte anglishten, gjermanishten dhe muzikën. Dokumentet tregojnë se një grua e huaj u punësua për t’i mësuar vogëlushit anglisht dhe njëkohësisht për t’u kujdesur për të si dado.
REL-i i di emrat e të punësuarve nga kopjet e pasaportave dhe dokumente të tjera të tyre, por ka vendosur të mos e publikojë identitetet e tyre për t’ua mbrojtur privatësinë.
Si rregull, katër deri në gjashtë kujdestare të huaja kanë punuar për familjen në çfarëdo kohe, ku disa kryenin role të ndryshme – si mësimdhënia e anglishtes dhe gjermanishtes – dhe disa zëvendësonin njëra-tjetrën me ndërrime.
Korrespondenca e parë nga Systema zbulon në hollësi edhe çështje banale, si një mosmarrëveshje me një dado mbi faktin nëse ajo e kishte pastruar siç duhet Ivanin pasi kishte shkuar në tualet në një rast të nëntorit të vitit 2018.
Mes antipatisë publike ndaj Perëndimit nga autoritetet ruse, të cilat dekurajojnë ndjekjen e traditave perëndimore, një raport nga një mësuese angleze që u pa nga Systema sugjeron se Ivani krijoi një kartolinë urimi për “mamanë dhe babanë” gjatë Krishtlindjes perëndimore në dhjetor 2018, ku shfaqej Babagjyshi. Krishtlindja ortodokse ruse bien në janar dhe simboli i tyre është Ded Moroz, ose Gjyshi i Acartë.
Pagesa e punonjëseve të huaja duket se ka ndryshuar shumë dhe është rritur me kalimin e kohës. Nga një kujdestare që paguhej 1.400 euro në muaj në vitin 2019 deri te paga që në disa raste arrinte në 7.000 euro, mbi gjashtë herë më shumë se paga mesatare mujore në Rusi në vitin 2025.
“Maturi, besnikëri, heshtje dhe bindje absolute”
Kontratat tregojnë se çdo kujdestare pajisej me një dhomë në një apartament ose në një suitë hoteli, me kushtin që mund t’i duhej ta ndante hapësirën me një person tjetër, por do të kishte të garantuar dhomën dhe banjën e saj me dush.
Dosjet tregojnë se disa punonjëse janë larguar nga puna para skadimit të kontratës, disa të tjera janë larguar me dëshirën e tyre, ndërsa disa kujdestare të mundshme kanë udhëtuar në Moskë ose Shën Petersburg, kanë kaluar intervista dhe ekzaminime dhe më pas janë kthyer në vendet e tyre.
Një grua austriake, 34-vjeçare, e cila ishte përgatitur me entuziazëm për punën e kujdesit për një fëmije 4-vjeçar dhe t’ia mësonte atij gjuhën gjermane, u zhgënjye pasi mbërriti në korrik 2019 dhe fillimisht qëndroi në hotele me pesë yje, siç i ishte premtuar, pasi më vonë e pa veten “në mes të askundit” në një fshat të vogël pranë Valdait, shkroi ajo për punëdhënësit e mundshëm pasi ata i thanë me e-mail se nuk ishte e përshtatshme për këtë punë.

Në një komunikim me Systema vite më vonë, ajo tha se korrespondenca për punën ishte zhvilluar me një nivel të lartë fshehtësie dhe se asnjëherë nuk i ishte treguar për kë do të punonte.
Materialet tregojnë se procesi i kërkimit, punësimit dhe marrëveshjeve financiare me burrat dhe gratë e kontraktuara për të ndihmuar në rritjen dhe edukimin e djemve është menaxhuar kryesisht nga dy kushërirat e Kabayevës, Olesya Fedina dhe Yekaterina Golovacheva.
As Fedina dhe as Golovacheva nuk iu përgjigjën pyetjeve të dërguara nga Systema. Zëdhënësi i Putinit, Dmitry Peskov, dhe një përfaqësues i Kabayevës gjithashtu injoruan kërkesat për koment.
Systema kërkoi gjithashtu koment nga disa prej personave që materialet tregonin se ishin punësuar për të ndihmuar në rritjen e dy djemve. Njëra konfirmoi se kishte qenë dado në Rusi për tre muaj, por nuk i ishte treguar kurrë se për kë punonte.
“Ne merrnim urdhra dhe informacione vetëm përmes ndihmësve të familjes”, i tha ajo Systema-s, duke shtuar se nga të punësuarit priteshin “maturi, besnikëri, heshtje dhe bindje absolute”.
Ajo e quajti periudhën e saj të shkurtër në atë punë një “përvojë të jashtëzakonshme” dhe tha se familja ishte gjithmonë e drejtë dhe “shumë bujare”, por sugjeroi se ndërveprimi me ndihmësit ishte i njëanshëm.
“Isha thjesht një person që merrte komanda dhe urdhra”, tha ajo./REL/
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...