Ministrja e Arsimit, Vesna Janevska, ka paralajmëruar investime të mëdha në përmirësimin e kushteve në konviktet studentore në vend, duke premtuar se brenda dy viteve studentët do të kenë në dispozicion konvikte moderne dhe me standarde evropiane.
Gjatë një deklarate publike, Janevska theksoi se qëllimi i ministrisë është transformimi i plotë i kushteve të akomodimit për studentët, duke i dhënë fund problemeve të shumta me të cilat janë përballur të rinjtë ndër vite në konviktet ekzistuese.
“Për dy vjet do të kemi konvikte studentore krejtësisht të reja me standarde evropiane. Studentët do të kenë konvikte moderne me standarde evropiane. Dhe prej tani e tutje nuk do të ketë më ndjekje të brejtësve, nuk do të ketë më ndjekje të insekteve. Studentët do të kenë ushqim të përshtatshëm, do të kenë akomodim të përshtatshëm”, deklaroi ministrja.
Ajo shtoi se problemet infrastrukturore që për vite me radhë kanë qenë shqetësim për studentët do të jenë pjesë e së kaluarës. Sipas saj, në konviktet e reja nuk do të ketë më dritare të dëmtuara apo ashensorë jofunksionalë dhe të pasigurt, ndërsa furnizimi me ujë dhe energji elektrike do të jetë i rregullt.
“Nuk do të ketë më ngjitje të dritareve, nuk do të ketë ashensorë që lëkunden, do të ketë ujë dhe energji elektrike. Dhe siç mund ta shihni, kjo është plotësisht reale”, theksoi Janevska.
Premtimi i ministres vjen në një kohë kur kushtet në disa prej konvikteve studentore në vend janë kritikuar vazhdimisht nga studentët dhe organizatat rinore. Ata kanë ngritur shqetësime për higjienën, mungesën e investimeve, sistemet e amortizuara të ngrohjes dhe problemet me infrastrukturën bazë.
Nga Ministria e Arsimit bëjnë të ditur se projektet për renovimin dhe ndërtimin e konvikteve të reja do të realizohen në faza, ndërsa synimi kryesor është krijimi i kushteve dinjitoze për jetën dhe studimin e studentëve. Po ashtu, pritet që në periudhën e ardhshme të publikohen më shumë detaje rreth investimeve, kapaciteteve të reja dhe afateve konkrete të realizimit të projekteve.
tag_katrorimaqedoni_2
Opel Corsa Hybrid Edition në Foleja Motors vjen si një zgjedhje ideale për ata që kërkojnë një veturë moderne,...