Vedat Muriqi nuk e mendon kalimin në kategorinë e dytë. Aq më pak pas statistikave historike që arriti me Real Mallorca, ku shënoi 23 gola dhe ishte golashënuesi më i mirë i La Liga pas sulmuesit të Real Madrid, Kylian Mbappé.
Këto statistika, të kombinuara me rënien e klubit nga Mallorca, e bëjnë “piratin” një nga emrat më të mëdhenj të merkatos. Në Turqi, konkretisht Fenerbahçe, që kishte tentuar ta transferonte edhe në afatin kalimtar të janarit, tashmë po përgatit ofertën e parë për të. Kjo ofertë po shtyhet nga kandidati për president të klubit turk, Aziz Yıldırım.
Gjithashtu edhe Galatasaray e ka në listën e dëshirave, por Muriqi duket se anon më shumë drejt ngjyrave të Fenerbahçes, klub ku aktivizohet edhe Marco Asensio.
Në Turqi tashmë flitet për një marrëveshje mes Muriqit dhe Aziz Yıldırımit. Gazetari i njohur turk Yağız Sabuncuoğlu e konfirmon këtë, duke përmendur edhe shifra që mediumi ka mundur t’i verifikojë.
Mallorca do ta shihte me sy të mirë një ofertë afër 20 milionë eurove, megjithëse shifrat që po planifikon klubi turk, në rast se kandidatura e Yıldırımit triumfon, nuk i afrohen ende kërkesave të klubit spanjoll. Ky është një aspekt që pritet të analizohet nga të gjitha palët në orët e ardhshme.
Muriqi pritet të takohet me Mallorcan këtë të premte, sipas raportimeve nga Turqia. Qëllimi është t’i kërkojë drejtorit sportiv të klubit, Pablo Ortells, një ulje të çmimit të transferimit.
Sulmuesi dhe drejtuesit sportivë janë në bisedime për të gjetur zgjidhjen e largimit të 32-vjeçarit, i cili ka hyrë në histori te Mallorca duke kaluar Samuel Eto’o si golashënuesi më i mirë i klubit në elitën spanjolle, me 57 gola në total, 23 prej tyre vetëm sezonin e fundit.
Klubi e ka të qartë se Muriqi meriton lehtësi për të vazhduar në nivelin më të lartë dhe për të firmosur kontratën e fundit të madhe në karrierë, por gjithashtu nuk ka ndërmend ta lërë të largohet falas, sidomos pas sezonit të shkëlqyer që zhvilloi.
Një pikë e rëndësishme në negociata është se Mallorca zotëron 100% të kartonit të kosovarit, por Lazio mban një përqindje të konsiderueshme nga fitimi neto i një shitjeje të ardhshme, konkretisht 45%.
Kjo do të thotë se nëse Mallorca e shet Muriqin për 20 milionë euro, fillimisht do të rikuperojë investimin prej rreth 7.5 milionë eurosh plus bonuset, ndërsa nga pjesa e mbetur, 55% do t’i takonin Mallorcas dhe 45% Lazios.
Një verë e nxehtë pritet për të ardhmen e “piratit”, i cili, pavarësisht se ku do të luajë, tashmë ka hyrë përgjithmonë në historinë e klubit ishullor.
Spitali Amerikan ka shpallur konkurs për vende të lira pune në Kosovë për profesionistë të fushës së infermierisë, duke...