“Eichmann-izmi” i shoqërisë shqiptare - Gazeta Express
string(35) "eichmann-izmi-i-shoqerise-shqiptare"

OP/ED

Gazeta Express

28/05/2026 16:11

“Eichmann-izmi” i shoqërisë shqiptare

OP/ED

Gazeta Express

28/05/2026 16:11

Shkruan: Ben Andoni

Hannah Arendt do të vinte tejet vonë në Shqipëri. Regjimi ishte i kujdesshëm për individët që e tregonin totalitarizmin deri në zgafellet më të errëta ndaj ata mbaheshin larg, qoftë përmes botimeve, por deri edhe tek përmendja e thjeshtë. Botimi i librit të Arendt në vitin 2021 (Shtëpia Botuese “Dudaj”, përkthyer nga Agim Doksani) i tregoi gjerësisht publikut mendimin filozofik për kategorinë e së keqes, por më shumë se çdo gjë paradokset e tij. Ajo që e bëri librin të kishte ndikim përtej kohës së vet, madje deri në ditët tona, është koncepti i “Banalitetit të së keqes”, të cilën filozofja e përdori në serinë e shkrimeve për “The New Yorker” në fillim të vitit 1963. Raporti i përpunuar i saj u botua si libër në fund të po atij viti me titullin “Eichmann në Jerusalem: Një raport mbi banalitetin e së keqes”. Vëzhgimi dhe konstatimi i saj për burokratët e Rajhut III i pataksi patriotët e vet hebrenj në Jeruzalem dhe kolegët në SHBA, por me kalimin e kohës, u pa se kjo këqyrje doli t’ishte i vërtetë për një fenomen që duke u ravijëzuar do ndryshonte formë por jo përmbajtje. Konstatimi ishte i veçantë: Ndërsa të gjithë e panë Eichmann si monstër apo të çmendur, ajo e përshkroi nëpunësin nazist thjesht si një burokrat mediokër të kohës, me një mendje të fiksuar vetëm te karriera. Për këtë e ndihën eufemizmat e kohës dhe gjermanët ishin mjeshtra për t’i sajuar: “Trajtim i veçantë”, “evakuim”, “zgjidhje përfundimtare”. Eichman zbatoi me përpikmëri rregullat e Rajhut III por asnjëherë duke arritur të bëjë gjykimin moral, atë që i takon një qenie me arsye. Asokohe çdo burokrat i mirë e bënte thjeshtë e saktë atë që i kërkonin, sepse duhet të kënaqte eprorin dhe qëllimin e tij për karrierë. Për Arendt kjo u konsiderua si “pakujdesi”, jo budallallëk e shpërdorim. I njëjti fenomen u pa në vitet ’90 në ish-hapësirën e ish-Jugosllavisë. Shumë burokratë sllavë mbyllën sytë ndërsa popujt e ishJugosllavisë u zhytën në gjak. Ata flisnin për përgjegjësi eprore, sepse ishin thjesht pjesë e njerëzve të mekanizmit që nën zë e dinin mirë se ç’po bënin. Gjykata për krimet në ish-Jugosllavi tregoi më pas masakrat në Kroaci, Bosnjë e Hercegovinë, eksodin e Kosovës, por edhe vetë pasojat mbi qytetarët e thjeshtë serbë. Cinizmi i komandantëve, qeveritarëve burokratë dhe ishpresidentit Millosheviq do të mbahet mënd gjatë për mungesën e moralit dhe cinizmin, mbuluar me ligjin dhe “të drejtën”.

Ashtu si asnjë gjerman i vetëm nuk vrau 6 milionë hebrenj, Arendt argumentoi se: Çdo person bëri një detyrë të vogël, ligjore dhe teknike. Kjo e shpërndau përgjegjësinë dhe i liroi disi nga përgjegjësia liderët nazistë. Sinteza e të gjithës u shpjegua me metaforën “Banaliteti i së keqes”, ku e keqja u krye nga njerëz të zakonshëm që nuk mund të quheshin monstra, por që thjesht ndaluan së menduari, për të ruajtur status quotë e tyre, përfitimet dhe gjithçka tjetër u siguronte mbijetesën bjerraditëse. A vlen kjo për burokratët modernë? Shqiptarët?!

Konteksti s’është bash i njëjtë. Totalitarizëm vs Demokraci. Por fenomeni: Po. Sot përballemi me nëpunës që zbatojnë vendime thjesht për të kënaqur eprorët. Në SPAK ke shumë personazhe që e kanë shpjeguar këtë fenomen, me justifikimin se ishin të detyruar. Apo të tjerë se kanë firmosur, të ndikuar. Në procesin gjyqësor për ish-presidentin, Meta; ish-ministrat, Beqaj dhe Koka; kryebashkiakun Veliaj, e të tjerë, në dosjet ke shumë fakte të tilla, direkte dhe indirekte. Zyrtarë që kanë firmosur ose më keq në rolin e prestanome kanë mbuluar procese dhe kinse pasuri. Nuk kanë menduar, thjesht kanë vepruar për përfitimin e shkurtër, atë që të pret pas dere dhe të jep status në shoqërinë e qejfit, që tashmë lëbyr jetën e vërtetë të shqiptarit që mbijeton. Po mendove dhe po tregove se di të arsyetosh dhe të respektosh moralin e së mirës, të tregohet dera. Rëndom. Që do të thotë se t’pret mbijetesa. Befas ke dalë nga sistemi, të cilin e mban një mekanizëm i tërë me agregate të fortë, temperimi i të cilit është bërë nga firmat pa mendim dhe pa moral. Kjo e keqe ndodh rëndom në demokracinë tonë, por tashmë “dalja” prej tij është ryshfeti (Sipas Eurostat, në vitin 2024 u regjistruan 261 procedime penale për ryshfet, ose 10.9 procedime për 100 mijë banorë. Me këtë nivel, shqiptarët renditen të dytët në Europë për dhënie ryshfeti në raport me popullsisë).

“E keqja vjen nga dështimi për të menduar. Ajo sfidon mendimin, sepse sapo mendimi përpiqet të përfshihet me të keqen dhe të shqyrtojë premisat dhe parimet nga e kanë origjinën, ai frustrohet sepse nuk gjen asgjë atje. Ky është banaliteti i së keqes”, shkroi Arendt. Kjo është ajo që qytetarët shqiptarë u kërkojnë shpesh burokratëve të rinj, të mendojnë veç arsyes edhe me moral e zemër. Të anashkalojnë dhe të ndreqin gabimet e sistemit dhe të tyret e të mos mbulohen me to, të mos firmosin kot, siç ndodhi me pallatet e tërmetit, me 5D, apo më keq akoma me njerëzit që u kaluan në procesin e vetingut. Bota e civilizuar po ua kërkon sot burokratëve amerikanë përballë çështjeve që sjell administrata ‘Trump’ dhe që shumica përmbajnë problematika aspak demokratike, si ato që lidhen me sistemet e ndalimit të imigracionit dhe që krijuan përplasje mes popullit në SHBA; procedurat e shënjestrimit të sulmeve me dronë; programet që lidhen me mbledhjen e të dhënave; apo më e keqja fare: të atyre ideve që e frymëzuan Trump të thoshte se një civilizim merr fund sot!! Duke u kthyer në rastin shqiptar këtë e shikon në çdo hap, ku shumica e burokratëve të administratës po ua bëjnë jetën shqiptarit të vështirë, pa pasur kurajë t’u thonë nëpunësve afër Ramës, kur e teprojnë: Mjaft!

Teza Arendt-iane ishte e thartë dje, por aktuale sot dhe pak a shumë të tregon në etikën e mendimit se në cilin moment fraza standarde: “Unë thjesht po bëja punën time” ndalon së qeni një mbrojtje e vërtetë? Është e vërtetë se zyrtarët tanë, ata që merren me taksat, kreditë apo inspektorët jo rrallë vendosin t’i dëmtojnë direkt njerëzit (një pjesë e bën dhe është referuar) por ata kinse justifikohen se zbatojnë sisteme. Arendt na mësoi se kundërshtimi etik është i rrallë: struktura totalitare shpërblen pajtueshmërinë dhe ndëshkon pyetjet. Dëmi në të gjithë kohën i atribuohet sistemit, jo keqdashjes individuale. Në Shqipëri e ke rëndom dhe vetëm të ndjekësh emisionet humoristike-investigative pataksesh me administratën tonë. Paralelizmi me sistemin e Eichmann-it duket pak si i tepruar pasi ai kishte si qëllim shfarosjen. Kurse burokracitë moderne në demokraci zakonisht kanë qëllime neutrale, dhe dëmi është një efekt anësor. Të mos harrojmë se shtetet moderne liberale kanë ligje për mbrojtjen e informatorëve; gjykata; shtyp të lirë; paçka se të shohësh ligjin për bilbilfryrësit, ke shpresë megjithëse ai nuk po gjen zbatim. Në kohën e Eichmann, ai dhe kolegët e tij vepronin në një sistem totalitar ku refuzimi nënkuptonte vdekje pa apel. Ligji pas Nurembergut caktoi një cak moral, ku individët duhet të refuzonin urdhrat qartësisht të paligjshëm. Kjo është merita e Arendt për kohën tonë: edhe urdhrat “ligjorë” mund të kërkojnë refuzim. Argumenti ynë s’është t’i quajë burokratët modernë “nazistë”, por për të diagnostikuar një mekanizëm: Kur burokratët përqendrohen vetëm te procedura, karriera dhe fitimi, ata mund të ndihin rezultate të dëmshme pa i pasur kurrë ndërmend ato ose pa u ndjerë përgjegjës, thuhet në literaturë. Kjo është arsyeja pse “banaliteti i së keqes” citohet gjithnjë e më shumë nga kolegë dhe analistë ndërkombëtarë në debatet rreth etikës së inteligjencës artificiale, dronëve ushtarakë, politikës së imigracionit dhe rregullimit financiar.

Në Serbi, Maqedoninë e Veriut, Shqipëri, Kosovë, do të dëgjoni të njëjtat fjali nga zyrtarët: “Sistemi duhet ta ndjekë këtë”, “Sistem nuk ka të bëjë”, “Nuk është vendi im, unë vetëm e aplikoj ligjin”. “Nëse doni që të ndryshohet, flisni me ministrin!”. Mësimi i Arendt që rrjedh nga shikimi i saj për Eichman është përqendrohuni te rregullat, por shikoni mirë edhe pasojat. Në Gjermaninë naziste, sistemi e shpërbleu mirë konformitetin ideologjik. Në Italinë fashiste ca më shumë. Komunizmi tek ne, po ashtu. Kurse në Ballkan, sistemi po shpërblen sot besnikërinë ndaj partisë në pushtet. Jo më kot, shumë burokratë i mbajnë vendet e tyre të punës sepse janë në një listë partie. Eichmann i Arendt donte avancim në karrierë brenda një strukture totalitare. Burokratët e Ballkanit shpesh duan ta mbajnë punën e tyre në një strukturë klienteliste… që demokracia i krijon si paradokse. Efekti psikologjik është i ngjashëm: përgjegjësia shpërndahet – por nxitja është patronazhimi, jo ideologjia. E mbyllim sërish me Arendt: “Përveç një zelli të jashtëzakonshëm në kërkimin e përparimit të tij personal, ai nuk kishte fare motive… Thjesht, për ta thënë në mënyrë të qartë, ai kurrë nuk e kuptoi se çfarë po bënte… Ishte një pamendim i plotë – diçka aspak identike me marrëzinë – që e predispozoi të bëhej një nga kriminelët më të mëdhenj të asaj periudhe. Dhe nëse kjo është ‘banale’ dhe madje edhe qesharake, nëse me vullnetin më të mirë në botë nuk mund të nxirret ndonjë thellësi i ithët ose djallëzore nga Eichmann, kjo është ende larg nga ajo që ta quash si fenomen të zakonshëm… Që një largësi e tillë, pra, nga realiteti dhe një mosmendim i tillë mund të bëjnë kërdi më shumë se të gjitha instinktet e liga të marra së bashku, të cilat, ndoshta, janë më pak të natyrshme te njeriu”. Epilogu: Gjon Mili e zbërtheu këtë paradoks vizualisht për “Life” me fotot e jashtëzakonshme që i bëri Eichmann-it në orët e fundit të jetës, në mënyrë që brezat ta kishin si dëshmi. (Homo Albanicus)

Advertisement
Advertisement
Advertisement