Një burrë rreth moshës 70-vjeçare ka humbur jetën sot në një aksident mes dy veturave që ndodhi rreth orës 08:30, në rrugën në fshatin Ramnishtë të Vitisë.
Ai fillimisht ishte dërguar në spital bashkë me një të lënduar tjetër, por nuk ka arritur t’i mbijetojë lëndimeve të aksidentit.
Lajmin për Gazetën Express e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Gjilanit, Ismet Hashani.
“Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e Trafikut Rajonal, ndërsa sipas hetimeve të para, lëndime trupore kanë pësuar të dy drejtuesit e automjeteve, të cilët janë banorë të Komunës së Vitisë. Si pasojë e aksidentit, njëri prej tyre ka pësuar lëndime të rënda trupore. Të lënduarit janë transportuar me urgjencë në Spitalin Rajonal në Gjilan për trajtim mjekësor. Personi i lënduar, rreth 70-vjeçar nga fshati Lubishtë i Komunës së Vitisë, përkundër përpjekjeve të mjekëve dhe trajtimit të ofruar në Spitalin e Gjilanit, nuk ka arritur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë”.
Hashani shtoi se lidhur me rastin është njoftuar Prokurori i Shtetit, i cili ka urdhëruar që ndaj drejtuesit tjetër të automjetit të caktohet masa e ndalimit për 48 orë, ndërsa trupi i pajetë i viktimës të dërgohet për obduksion në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.
“Hetimet për zbardhjen e rrethanave të këtij aksidenti të rëndë janë duke u zhvilluar nga hetuesit rajonalë të aksidenteve të trafikut të Policisë së Kosovës në Gjilan”, përfundoi ai.
Spitali Amerikan ka shpallur konkurs për vende të lira pune në Kosovë për profesionistë të fushës së infermierisë, duke...