“Çmendet” Barcelona, pas Gordonit i afrohet edhe Alvarezit - Gazeta Express
string(55) "cmendet-barcelona-pas-gordonit-i-afrohet-edhe-alvarezit"

Sport

Gazeta Express

28/05/2026 14:05

“Çmendet” Barcelona, pas Gordonit i afrohet edhe Alvarezit

Sport

Gazeta Express

28/05/2026 14:05

Barcelona po lëviz fuqishëm në tregun e futbollit dhe drejtori sportiv Deco duket i vendosur t’ia japë trajnerit Hansi Flick një skuadër edhe më konkurruese për sezonin e ardhshëm.

Sipas raportimeve nga Italia dhe Spanja, klubi katalanas e ka mbyllur marrëveshjen për Anthony Gordon nga Newcastle dhe paralelisht po punon intensivisht për transferimin e Julián Álvarez nga Atlético Madrid.

Sulmuesi anglez Gordon pritet të mbërrijë në Barcelonë për vizitat mjekësore dhe nënshkrimin zyrtar.

Marrëveshja me Newcastle është arritur mbi bazën e 70 milionë eurove plus 10 milionë bonuse, ndërsa lojtari do të nënshkruajë kontratë pesëvjeçare me “Blaugrana”.

Barcelona e përshpejtoi operacionin për ta shmangur konkurrencën e Liverpoolit dhe Bayern Munichut, të cilët gjithashtu kishin shfaqur interes për anglezin.

Por Deco nuk është ndalur vetëm te Gordon.

Sipas “Tuttomercatoweb”, drejtori sportiv i Barcelonës është takuar dje me Fernando Hidalgo, menaxherin e Julián Álvarez, në një samit të rëndësishëm për ta diskutuar transferimin e sulmuesit argjentinas në “Camp Nou”, përcjell “Gazeta Express”.

Objektivi i klubit është që Álvarez të jetë pasuesi ideal i Robert Lewandowskit në qendër të sulmit.

Barcelona besohet se ka marrë sinjale pozitive nga vetë lojtari.

Edhe pse Álvarez ndihet mirë te Atlético Madrid, ai thuhet se e sheh me shumë interes mundësinë për të luajtur nën drejtimin e Flick dhe për t’u bërë pjesë e projektit të ri katalanas.

Mediat spanjolle raportojnë se argjentinasi i ka dhënë prioritet Barcelonës përpara ofertave të tjera evropiane.

Megjithatë, operacioni mbetet shumë i komplikuar.

Atlético Madrid nuk dëshiron ta humbasë një nga yjet kryesorë të skuadrës dhe i kërkon rreth 120 milionë euro për kartonin e sulmuesit, i cili ka kontratë deri në vitin 2030.

Për ta ulur koston, Barcelona po mendon ta përfshijë Ferran Torres si pjesë të marrëveshjes, përveç një oferte financiare prej rreth 70 milionë eurosh.

Për momentin, drejtuesit e Atléticos nuk janë bindur nga oferta.

Lëvizjet e fundit mund t’i ndryshojnë edhe planet për Marcus Rashford.

Sulmuesi anglez ishte afruar sezonin e kaluar në formë huazimi nga Manchester United dhe Barcelona po mendonte ta mbante, por ardhja e Gordon dhe tentativa për Álvarez mund ta mbyllin përfundimisht derën për një rikthim të tij në “Camp Nou”.

Në Barcelonë ekziston bindja se Flick e ka rikthyer entuziazmin dhe prestigjin e klubit në tregun evropian.

Sipas mediave spanjolle, emra si Lamine Yamal, Pedri dhe vetë trajneri gjerman po e bëjnë sërish Barçën një destinacion shumë tërheqës për futbollistët elitarë. /Gazeta Express

Advertisement
Advertisement
Advertisement