Julian Alvarez ka folur për raportin dhe konkurrencën sportive me Lautaro Martinez në kombëtaren argjentinase, duke theksuar se rivaliteti mes tyre është pozitiv dhe se të dy mund të përshtaten në të njëjtën kohë në repartin ofanziv.
Sulmuesi argjentinas, i cili në sezonet e fundit është shndërruar në një nga pikat më të forta të Albiceleste, pranoi se konkurrenca për vendin e titullarit është gjithmonë prezente, si në klub ashtu edhe në përfaqësuese.
Megjithatë, sipas tij, kjo situatë i ndihmon lojtarët të japin maksimumin.
“Konkurrenca ekziston gjithmonë, ndodh në çdo skuadër dhe edhe te kombëtarja. Është stimuluese për të dy”, deklaroi Alvarez gjatë grumbullimit të Argjentinës.
Sulmuesi shtoi se ai dhe Lautaro kanë treguar edhe më parë se mund të luajnë së bashku në sulm, pavarësisht se shpesh konsiderohen rivalë për të njëjtin rol në formacionin e Lionel Scalonit.
“Sot luajtëm bashkë dhe kjo ka ndodhur edhe në raste të tjera. Lautaro është mësuar të luajë me një tjetër sulmues pranë tij, por edhe unë kam bërë të njëjtën gjë. Mendoj se kemi bërë mirë dhe kur të na vijë radha do ta japim maksimumin për ekipin”, u shpreh ish-lojtari i Manchester Cityt.
Debati mbi aktivizimin e dyshes Alvarez-Lautaro vazhdon prej kohësh në Argjentinë.
Edhe trajneri Lionel Scaloni ka deklaruar më herët se të dy sulmuesit mund të luajnë së bashku, falë karakteristikave të ndryshme që ofrojnë në repartin ofensiv.
Në sezonin aktual, Alvarez ka qenë një nga lojtarët më të rëndësishëm të Atletico Madridit, ndërsa Lautaro vazhdon të mbetet lideri ofensiv i Interit.
Rivaliteti mes tyre pritet të vazhdojë edhe në prag të Kupës së Botës 2026, ku të dy synojnë një vend titullari në sulmin e Argjentinës. /Gazeta Express