Real Madridi është pranë sigurimit të vazhdimësisë së një prej shtyllave kryesore të mbrojtjes.
Sipas raportimeve nga Gjermania, Antonio Rudiger ka arritur marrëveshje me klubin madrilen për vazhdimin e kontratës, përcjell “Gazeta Express”.
Mbrojtësi gjerman, kontrata aktuale e të cilit do të skadojë në verën e vitit 2026, pritet ta zgjasë bashkëpunimin edhe për një sezon tjetër, deri më 30 qershor 2027.
Palët i kanë përcaktuar tashmë detajet finale dhe nënshkrimet në dokumente priten të vijnë në ditët e ardhshme.
Megjithatë, njoftimi zyrtar nga klubi do të shtyhet deri pas përfundimit të procesit zgjedhor presidencial në Real Madrid.
Sipas mediave spanjolle, Florentino Perez dhe drejtuesit aktualë vazhdojnë të kenë kompetenca të plota për të mbyllur rinovime dhe transferime edhe gjatë periudhës zgjedhore.
Në muajt e fundit kishte spekulime për një rikthim të mundshëm të Rudiger në Serie A, me Juventusin dhe disa klube të tjera italiane që kishin shfaqur interesim, por mbrojtësi duket i vendosur ta vazhdojë aventurën e tij në “Santiago Bernabeu”. /Gazeta Express