Trajneri i Spanjës, Luis de la Fuente, ka shprehur besim të plotë se talenti i ri Lamine Yamal do të jetë një nga figurat kryesore të skuadrës në Kupën e Botës, pavarësisht shqetësimeve të fundit fizike që lidhen me një dëmtim në muskul.
Pas publikimit të listës me 26 lojtarë, tekniku spanjoll theksoi se turneu përfaqëson një moment kyç në karrierën e sulmuesit të Barcelonës, i cili aktualisht është në proces rikuperimi nga një dëmtim në hamstring.
De la Fuente: “Ky është momenti i Yamal”
Duke folur për mediat shtetërore spanjolle, trajneri u shpreh se pritshmëritë ndaj 17-vjeçarit janë të larta, por të justifikuara nga talenti dhe pjekuria e tij.

“Është jashtëzakonisht i entuziazmuar dhe shumë i motivuar. Është shumë i ri, por edhe shumë i pjekur. E di se ky është momenti i tij. Në jetë duhet të shfrytëzosh mundësitë,” deklaroi De la Fuente.
Ai shtoi se Yamal pritet të përfitojë nga mbështetja e bashkëlojtarëve dhe të rritet edhe më shumë gjatë turneut: “Për mendimin tim kemi lojtarët më të mirë në shumë pozita, dhe kjo do ta ndihmojë atë të shfaqë maksimumin e tij.”
Plani për lojtarët e dëmtuar
Trajneri spanjoll sqaroi gjithashtu gjendjen e disa lojtarëve që po rikuperohen nga lëndimet, përfshirë edhe Mikel Merino dhe Eric García. Sipas tij, stafi teknik po i monitoron nga afër dhe ekziston optimizëm se shumica do të jenë të gatshëm për ndeshjen e parë.

“Gjendja e lojtarëve të dëmtuar është e mirë, duke marrë parasysh fazën e rikuperimit të secilit. Me shumë gjasa do të jenë të gatshëm për ndeshjen e parë, por do të vendosim në varësi të situatës,” tha ai.
Spanja në pritje të sfidave të grupit
Si kampione në fuqi e Evropës, Spanja hyn në turne me pritshmëri të mëdha dhe presion të lartë për rezultate. Në Grupin H, ajo do të përballet me rivalë të fortë si Uruguai dhe Arabia Saudite, ndërsa stafi teknik do të fokusohet në menaxhimin e formës fizike të skuadrës gjatë fazës së grupeve. /GazetaExpress/