Asamblistëve serbë u pengon mbishkrimi ku shprehet dashuria për Mitrovicën - Gazeta Express
string(74) "asamblisteve-serbe-u-pengon-mbishkrimi-ku-shprehet-dashuria-per-mitrovicen"

Lajme

Gazeta Express

26/05/2026 7:32

Asamblistëve serbë u pengon mbishkrimi ku shprehet dashuria për Mitrovicën

Lajme

Gazeta Express

26/05/2026 7:32

 Kuvendi Komunal i Mitrovicës së Veriut ka votuar për largimin e mbishkrimit “Unë e dua Mitrovicën” i shkruar në anglisht, që është vendosur nga qeverisja e kaluar komunale në tetor të vitit të kaluar. 
Vendimi është miratuar dje me dhjetë vota për në mbledhjen e Kuvendit Komunal, që është përcjell me debat mes anëtarëve lidhur me simbolikën dhe mesazhin që përçon ky mbishkrim në qytet.

Kundër kanë votuar pesë asamblistë, dy nga Iniciativa Qytetare “Veriu për të gjithë”, Marko Jakshiq e Ivan Miletiq, ai i Demokracisë Serbe, Ivan Miletiq si dhe Aida Ferati-Doli nga Lëvizja Vetëvendosje e Emir Azemi nga Partia Demokratike e Kosovës.

Kjo pikë nuk ka qenë pjesë e rendit të ditës, por është shtuar gjatë seancës me kërkesë të asamblistëve të Listës Serbe, parti që udhëheq tash me qytetin.

Në këtë mbledhje pati përplasje edhe mes zëvendëskryesueses së Kuvendit Komunal, Aida Ferati-Doli dhe kryesuesit të kuvendit, Ivan Zaporozhaq, pasi asaj i është ndërprerë fjala gjatë diskutimit.
Ferati-Doli ka thënë se punëtorëve shqiptarë po u bëhet vazhdimisht presion nga kryetari dhe nënkryetarja e komunës, ndërsa ka ngritur shqetësime edhe për largimin e disa prej tyre nga puna.
“Gjithashtu në muajin e kaluar ka qenë një interesim jashtëzakonisht i madh nga kryetari dhe nënkryetarja që punëtorët shqiptarë t’i merrni në pyetje, t’iu tregoni se si dhe çka i vlerësoni, të cilët janë larguar nga puna edhe pse i kanë bërë gjashtë muaj, të cilëve ju keni thënë se nuk i keni mjetet e punës”, ka thënë ajo.

Gjatë diskutimit të saj, Ferati-Doli ka thënë se Kuvendi Komunal nuk ka mbajtur mbledhje për dy muaj, duke kritikuar pushtetin lokal për mosorganizimin e seancave.

“Jo, jo nuk është në rregull me ma ndalë fjalën. Po nuk jeni duke mbajte seanca, prandaj po mblidhen për dy muaj. Nuk mundesh me ma ndalë fjalën, flas çka du, të paktën fjalën mos ma ndal. Materialet nuk po na i sillni, por të paktën fjalën mos na e ndalni”, ka thënë ajo.

Mbishkrimi “Unë e dua Mitrovicën” është vendosur më 2 tetor 2025 pasi ishte larguar mbishkrimi i mëparshëm në alfabetin cirilik “Ja volim Kosovsku Mitrovicu” (Unë e dua Mitrovicën e Kosovës), duke u zëvendësuar me një version të ri në alfabet latin, me zemër të gjelbër dhe stemë të re komunale, që përfaqësojnë qytetin e “minatorëve”.

Mbishkrimi është vendosur në kohën sa qyteti udhëhiqet nga kryetari Erden Atiq (VV).

Advertisement
Advertisement
Advertisement