Julian Alvarez raportohet se i ka bërë të ditur Atletico Madridit dëshirën e tij për t’u larguar nga klubi këtë verë, duke refuzuar njëkohësisht një rinovim gjigant kontrate.
Sulmuesi argjentinas thuhet se po kërkon një projekt sportiv më ambicioz mes interesimit nga Barcelona, Arsenali dhe Paris Saint-Germaini.
Në një lëvizje që ka shkaktuar tronditje në “Metropolitano”, Alvarezi ka refuzuar një ofertë shumë të majme kontrate nga Atletico Madridi.
Oferta do ta kishte bërë kampionin e Botës lojtarin më të paguar në skuadrën e Diego Simeones, me një pagë prej rreth 10 milionë eurosh në sezon.
Pavarësisht përpjekjeve të klubit për ta siguruar të ardhmen e tij afatgjatë, sulmuesi duket i gatshëm të largohet.
Kontrata aktuale e argjentinasit zgjat deri në vitin 2030 dhe përfshin një klauzolë largimi prej 500 milionë eurosh, por refuzimi i tij për të nënshkruar një marrëveshje të përmirësuar sugjeron se mendja e tij tashmë është larg klubit.
Sipas “Marca”, Alvarezi nuk është më i bindur nga drejtimi konkurrues i klubit dhe dëshiron të provojë veten në një projekt me garanci më të madhe për trofe të mëdhenj.
Edhe pse interesimi nga Premierliga dhe Ligue 1 mbetet i lartë, Alvarezi thuhet se e ka vendosur synimin te një transferim në Barcelonë.
Ish-lojtari i Manchester Cityt raportohet se është i mahnitur nga projekti në “Spotify Camp Nou” dhe është i gatshëm të heqë dorë nga statusi i tij si figura kryesore absolute tek Atletico për të luajtur përkrah emrave si Lamine Yamali dhe Raphinha.
Kjo dëshirë për t’iu bashkuar një “projekti më të fortë” ka lënë të zhgënjyer drejtuesit e Atleticos ndërsa afati kalimtar po afrohet.
Duke folur për të ardhmen e lojtarit pas përfundimit të sezonit, trajneri Simeone mbajti një qëndrim të distancuar.
“E ardhmja e Julianit? Është pyetje për të, besoj se ai tashmë e ka marrë vendimin e tij,” pranoi trajneri.
Atletico Madridi nuk ka ndërmend ta lërë sulmuesin e tyre kryesor të largohet lirë, sidomos drejt një rivali direkt në Spanjë si Barcelona.
Klubi thuhet se i ka bërë të ditur përfaqësuesit të lojtarit, Fernando Hidalgo, se do të shqyrtojë vetëm oferta mbi 150 milionë euro.
Duke pasur parasysh problemet financiare të Barcelonës, përmbushja e një vlere të tillë mbetet një pengesë e madhe për katalanasit.
Gjithashtu ekziston një ndjenjë frustrimi brenda drejtuesve të Atleticos lidhur me ndikimin e rrethit të lojtarit.
Burime pranë klubit sugjerojnë se Hidalgo ka “ndërhyrë” prapa skenave për të organizuar një transferim, një situatë që ngjan me komplikimet që pothuajse penguan transferimin e tij fillestar nga Manchester City.
Ndërsa disa në klub besojnë se duhet të qëndrojnë të vendosur, të tjerë, përfshirë drejtorin sportiv Mateu Alemany, mund ta shohin një shitje të madhe si mundësi për të rindërtuar skuadrën./GazetaExpress/
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...