Ndërsa ish-klubi i tij Milani është në kaos total, Paolo Maldini ka konfirmuar se është takuar me kandidatin për president të Fenerbahçes, Hakan Safi.
“Rossonerët” kanë bërë një spastrim të plotë pas dështimit për t’u kualifikuar në Ligën e Kampionëve, duke shkarkuar sot trajnerin Max Allegri, drejtorin sportiv Igli Tare, drejtorin teknik Geoffrey Moncada dhe CEO-n Giorgio Furlani me një deklaratë të vetme dhe të ashpër.
Mes këtij kaosi, duket se Maldini nuk do të rikthehet në “San Siro”, pasi ai po përmendet si drejtori i ri teknik i Fenerbahçes.
Gjithçka varet nga fakti nëse Hakan Safi fiton zgjedhjet presidenciale, por italiani publikoi në rrjetet sociale një mesazh për takimin e tyre javën e kaluar.
“Kalova një kohë të mrekullueshme në Stamboll me Hakan Safi. Një mendje e fortë futbolli, një lider pasionant dhe më e rëndësishmja një mik i vërtetë. Patëm diskutime të shkëlqyera rreth futbollit dhe jam i sigurt se do të vazhdojmë të ndajmë edhe shumë momente të tjera së bashku në të ardhmen”, shkroi Maldini.
Mbetet të shihet se çfarë roli do të kishte ai te Fenerbahçe nëse Safi zgjidhet president, por ky ishte një nga disa takimet mes tyre, pas një tjetër takimi në Itali më herët gjatë këtij muaji.
Gjithashtu ka pasur raportime se Maldini po mendon të sjellë ish-trajnerin e Milanit, Stefano Pioli, te skuadra turke.
Maldini ishte drejtor i zhvillimit te Milani në sezonin 2018-19, më pas u promovua në drejtor teknik nga viti 2019 deri në shkarkimin e tij në qershor 2023./GazetaExpress/
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...