Një zëdhënës i Premierligës ka konfirmuar se goli i Patrick Dorgut është shqyrtuar nga Paneli i Akreditimit të Golave dhe do të qëndrojë, pasi janë ngritur pyetje nëse duhej të regjistrohej si autogol.
Të dielën pasdite, kapiteni i Manchester Unitedit, Bruno Fernandes, u regjistrua me një asist rekord në ditën e fundit të sezonit të Premierligës ndaj Brightonit, pasi Dorgu shënoi me kokë nga harkimi i tij.
Premierliga i dorëzoi Fernandesit çmimin “Golden Playmaker” dhe e njohu arritjen e tij si asistuesi më i mirë në një sezon të vetëm me një grafikë speciale në rrjetet e tyre sociale.
“Është fantastike,” tha ai pasi kaloi Kevin De Bruynen dhe Thierry Henryn me asistin e tij të 21-të.
“Ndihem shumë i lumtur për këtë. Një moment shumë krenar, sigurisht nuk është diçka që do ta ëndërroja apo mendoja derisa iu afrova kaq shumë”, shtoi ai.
Megjithatë, pas shfaqjes së një rishikimi të golit të Dorgut, disa kanë vënë në dyshim nëse ai duhej të regjistrohej si autogol, pasi goditja me kokë fillimisht përplaset në traversë, më pas në portierin e Brightonit, Bart Verbruggen, dhe kthehet sërish në rrjetë.
Ngjarja ka shkaktuar shumë debat mes tifozëve në rrjetet sociale, por të hënën u konfirmua se rekordi i asistimeve të Fernandesit do të qëndrojë dhe nuk do të ketë ndryshim.
Një zëdhënës i Premierligës, sipas “Football London”, tha: “U vendos që ishte gol i [Patrick] Dorgut dje. Fillimisht nga ‘Opta’, dhe më pas nuk pati ndryshim nga Paneli i Akreditimit të Golave”.
Fernandesi u urua nga shumë persona pasi arriti asistin e tij të 21-të të sezonit, përfshirë ish-mbajtësin e rekordit Thierry Henry, i cili kishte shënuar 20 asiste për Arsenalin në sezonin 2002-03.
Henry i dërgoi një mesazh Steven Bartlettit të podcastit “The Diary of a CEO” që thoshte: “Ju lutem përshëndeteni nga ana ime. E dua atë! Braino Fernandes!”.
De Bruyne e barazoi rekordin e Henryt në sezonin 2019-20, por ai nuk ishte aspak i kënaqur kur Premierliga i mohoi një asist pas fitores 3-0 të Manchester Cityt ndaj Arsenalit.
Krosimi i tij për Raheem Sterlingun u konsiderua se ishte devijuar lehtë nga thembra e Calum Chambersit.
Duke folur për kanalin zyrtar të Cityt, De Bruyne tha: “Në mendjen time, unë jam në 22 asistime. Më janë marrë dy nga liga – veçanërisht në transfertë ndaj Arsenalit. Por në fund, është siç thonë ata”.
Ai gjithashtu e përmendi rastin në një intervistë për Premierligën, të cilët përfshinë atë krosim në fillim të një videoje për të festuar 100 asistet në Premierligë.
“Ata ende ma morën një ndaj Arsenalit,” tha ai.
“Ma morën një dhe kur festuan asistin tim të 100-të, e vendosën si klipin e parë në video. A mund ta imagjinoni sa gabim ishin?”, tha ai tutje./GazetaExpress/
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...