Barcelona siguroi edhe një herë titullin e La Ligas këtë sezon, pasi e mposhti Real Madridin gjatë gjithë kampionatit, por trajneri Hansi Flicku ka pranuar se ishte një “sezon i vështirë”, me shumë gjëra që nuk shkuan sipas planit.
Një pjesë e madhe e problemeve lidhej me dëmtimet, por edhe në aspektin e paraqitjeve, skuadra pati vështirësi të arrinte nivelin e sezonit të kaluar.
Një nga pozicionet që shkaktoi më shumë shqetësim për “Blaugranët” ishin krahët e mbrojtjes.
Në të majtë, forma e Alejandro Baldes ra ndjeshëm, ndërsa Joao Cancelo e zëvendësoi atë në pjesën e dytë të sezonit pasi erdhi në huazim nga Al-Hilali.
Në anën tjetër, Jules Kounde pati vështirësi me formën gjatë gjithë sezonit dhe, në ndeshjen vendimtare për titullin, Flicku zgjodhi Eric Garcian përpara tij në pozicionin e mbrojtësit të djathtë.
Ka gjithashtu raportime se Barcelona planifikon ta përdorë Garcian në atë rol edhe sezonin e ardhshëm.
Sipas “Sport Mediaset”, përmes “Sport”, Barcelona po monitoron nga afër situatën e Denzel Dumfriesit këtë verë.
Edhe Chelsea dhe Liverpooli po e ndjekin mbrojtësin holandez, i cili mund të largohet nga Interi për vetëm 25 milionë euro.
Gjigantët katalanas janë lidhur me reprezentuesin holandez edhe në të kaluarën, ndërsa Interi po ashtu është i hapur për shitje këtë verë.
Dumfriesi ishte një figurë kyçe teksa Interi fitoi Scudetton këtë sezon, duke zhvilluar 28 paraqitje, me pesë gola dhe dy asistime.
30-vjeçari mungoi në pjesën e mesme të sezonit për shkak të një operacioni në kyçin e këmbës, por u rikthye sërish si një lojtar i rëndësishëm për skuadrën italiane./GazetaExpress/
Pse të presësh, kur mundesh me hy direkt me Fast Lane? Si Sponsor Gjeneral i Sunny Hill Festival, Banka...