Në shkollat fillore të Komunës së Dibrës, përveç procesit edukativo arsimor, një vëmendje e madhe i kushtohet edhe aktiviteteve ndërgjegjësuese që kanë të bëjnë me dukuritë që preokupojnë shoqërinë. Bëhet fjalë për aktivitete përmes të cilave nxënësit ndërgjegjësohen për sigurinë digjitale, barazinë gjinore, diskriminimin, bullizmin dhe dukuri të tjera negative në shoqëri.
Në shkollën fillore komunale “Said Najdeni” thonë se janë realizuar një sërë aktivitetesh edukative dhe ndërgjegjësuese. “Janë realizuar me sukses aktivitete edukative dhe ndërgjegjësuese me temat: siguria digjitale, barazia gjinore, diskriminimi dhe bullizmi, të organizuara me mbështetje financiare nga Komuna e Dibrës. Në kuadër të këtyre aktiviteteve u organizuan edhe ‘Lojëra pa kufij’, përmes të cilave nxënësit patën mundësi të zhvillojnë bashkëpunimin, respektin, frymën ekipore dhe ndjenjën e përfshirjes, me theks të veçantë në pjesëmarrjen e të gjithë nxënësve pa dallim”, thuhet në kumtesën e drejtorisë dhe stafit mësimdhënës.
Nxënësit treguan interes të madh për temat që u trajtuan. U theksua se siguria digjitale kërkon sa më shumë njohuri, ndërsa edhe barazia gjinore ka një rëndësi shumë të madhe. Natyrisht, edhe tema e bullizmit ngjalli interes të veçantë gjatë orëve të trajnimit.
Sipas organizatorëve, aktivitetet kanë pasur pjesëmarrje masive dhe janë zhvilluar në një atmosferë shumë cilësore. Përveç Komunës së Dibrës, kontribut të madh në realizimin e aktiviteteve ka dhënë edhe aktivistja e Korpusit Amerikan të Paqes, Vanessa Pieper, e cila është e angazhuar në këtë shkollë, së bashku me arsimtarët vullnetarë. Përmes aktiviteteve të tilla, shkolla vazhdon të promovojë vlera pozitive, barazi, respekt dhe një ambient të sigurt e gjithëpërfshirës për çdo nxënës. Aktivitete me këto tema janë realizuar edhe në shkollën “Penestia” në Dibër, si dhe në shkollën “Riste Ristevski” në fshatin Kosovrast i Poshtëm.
tag_katrorimaqedoni_2