Në Sofali, me rreth 155 mijë €, Nagavci bleu shtëpi, posedon edhe banese e veturë 11 mijë € - Gazeta Express
string(88) "ne-sofali-me-rreth-155-mije-e-nagavci-bleu-shtepi-posedon-edhe-banese-e-veture-11-mije-e"

Lajme

Gazeta Express

23/05/2026 20:33

Në Sofali, me rreth 155 mijë €, Nagavci bleu shtëpi, posedon edhe banese e veturë 11 mijë €

Lajme

Gazeta Express

23/05/2026 20:33

Tendencë për ta rritur pasurinë e paluajtshme ka edhe nga deputetët e partisë në pushtet.

Shefja e Grupit Parlamentar, Arbërie Nagavci, përveç se në të kaluarën ka blerë banesë, depo e parking, në nëntor të vitit 2025 ka hyrë edhe në një kredi në vlerë 203 mijë euro për blerjen e një shtëpie.

203 mijë euro kredi ajo ka planifikuar t’i shlyejë për 120 muaj, apo vetëm 10 vjet.

E pyetur nga “Betimi për Drejtësi”, Nagavci ka thënë se ka blerë 2 ari tokë, me një shtëpi në të prej 190 metrash katrorë, e cila është ende në ndërtim e sipër në lagjen Sofalia të Prishtinës.

“Shtëpia ndodhet në Prishtinë, në lagjen Sofalia. Prona ka gjithsej 200 metra katrorë tokë (2 ari) dhe në atë hapësirë është ndërtuar shtëpia me sipërfaqe totale prej 190 metrash katrorë. Aktualisht kemi parakontratë, pasi shtëpia është ende në ndërtim.”

Paga e saj si deputete rezulton rreth 1,900 euro, ndërsa kësti mujor i bie rreth 1,690 euro.

Pra, nga paga e saj rezulton t’i mbesin rreth 200 euro.

Ndërsa me të vetmin person që jeton është bashkëshorti, për të cilin deklaron se ka pagë vjetore 9 mijë e 60 euro, apo pagë mujore rreth 750 euro. Në total afro 1 mijë euro në muaj.

Përkundër se në deklarim kredia thotë të jetë marrë nga ajo, pagesën për të thotë se do ta bëjë bashkë me bashkëshortin dhe fëmijët, ani pse të ardhurat e këtyre të fundit nuk i ka fare në deklarim të pasurisë.

“Pagesa e kredisë do të bëhet për një periudhë 10-vjeçare me të ardhurat nga paga ime, nga paga e bashkëshortit dhe fëmijëve.”

Nagavci nga deklarimi i pasurisë rezulton se i ka vetëm 700 euro kursime në emër të saj. Nagavci po ashtu ka në posedim një veturë 11 mijë euro, të blerë në vitin 2018 me kredi.

Agim Bahtiri i ka të deklaruara gjithsej 44 patundshmëri, një pjesë në emër të tij dhe një pjesë të përbashkëta me familjen, si dhe një pjesë të ndërtuar nga ai.

Bahtiri ka 56 mijë euro kursime në emër të vet dhe 20 mijë e 400 euro në emër të gruas.

Mirëpo i njëjti është 100 për qind aksionar në një kompani.

Ka pagë nga Kuvendi 1,600 euro, nga Holanda 1 mijë e 15 euro, dhe paga e gruas 2 mijë e 240 euro.

“Betimi për Drejtësi” ka kontaktuar Bahtirin, mirëpo i njëjti nuk i është përgjigjur thirrjeve dhe shkrimeve të redaksisë.

Deputeti Arbër Rexhaj është i pasur me patundshmëri, por rezulton i ngarkuar me kredi.

Rexhaj ka 17 patundshmëri, prej të cilave 15 të trashëguara e dhuruara, ndërsa 2 pyje të blera nga ai dhe bashkëshortja në vlerë të përbashkët mbi 19 mijë euro.

Nga viti 2020 ai rezulton se ka marrë 4 kredi, të cilat në këst mujor llogariten në total rreth 650 euro.

Më mirë nuk qëndron as bashkëshortja, në emër të së cilës ka deklaruar 5 kredi.

Kësti mujor i tyre rezulton sipas llogaritjes 615 euro, pa e llogaritur obligimin e fundit prej 10 mijë euro, për të cilin nuk ka dhënë informacione mbi mënyrën e sigurimit dhe periudhën e kthimit.

Ndërsa në emër të prindërve, për mbylljen e kredive paraprake dhe nevoja të tjera, ka deklaruar 40 mijë euro kredi.

I kontaktuar, Rexhaj ka thënë se kreditë janë të përbashkëta me gruan dhe prindërit dhe brenda muajit paguajnë 1500 deri 1700 euro.

“Rroga jem si deputet, rroga e shoqës dhe rroga e nanës është e mjaftueshme për me i mbulu të gjitha ato kredi. Unë e kom renovu banesën, prej një familjari tem e kom ble një tokë ma herët, edhe do me thanë këto janë qato kredi”, ka thënë Rexhaj.

Për më shumë ndiqeni emisionin “Kosova vendin e dytë në Evropë për varfëri, por me politikanë të pasur”, në TV dhe platformat online të “Betimi për Drejtësi”.

Advertisement
Advertisement
Advertisement