“La Gazzetta dello Sport” raporton se Curtis Jones preferon një transferim tek Interi para Newcastle dhe Aston Villas, ndaj zikaltërit ka të ngjarë të tentojnë të nënshkruajnë si me mesfushorin e Liverpoolit, ashtu edhe me Manu Koné të Romës këtë verë.
Sipas “La Gazzetta dello Sport”, mesfushori i Liverpoolit, Jones, është i etur të transferohet në Serie A gjatë verës dhe i ka dhënë përparësi kalimit tek Interi para Aston Villas dhe Newcastle.

Interi po përgatitet të bëjë ndryshime në mesfushë, dhe “Gazzetta” konfirmon se Koné i Romës mbetet objektivi kryesor i zikaltërve në repartin e mesfushës për sezonin e ardhshëm.
Në të njëjtën kohë, fituesit e sapokurorëzuar të Serie A prej kohësh po e ndjekin Jonesin e Liverpoolit, i cili i kishte impresionuar zikaltërit gjatë një ndeshjeje të Ligës së Kampionëve në “San Siro” në dhjetor.
Interi kishte tentuar ta transferonte Jones edhe në afatin kalimtar të janarit, por sipas “Gazzettas”, negociatat me Liverpoolin kishin ngecur pasi “The Reds” kërkuan që Denzel Dumfries të përfshihej në marrëveshje.
Jones nuk ka shumë gjasa të nënshkruajë një kontratë të re përtej qershorit 2027, ndaj me vetëm një vit të mbetur në kontratën e tij në “Anfield”, Interi shpreson ta sigurojë anglezin për një çmim të arsyeshëm gjatë merkatos verore./GazetaExpress/