Qeveria në detyrë ka marrë vendim të ndajë nga 100 euro për fëmijët, pensionistët, studentët dhe punëtorët e sektorit privat. Kjo mbështetje e njëhershme për pensionistët dhe fëmijët do të ekzekutohen në fillim të javës së ardhshme, ndërkohë për studentët dhe punëtorët e sektorit privat do të hapet aplikimi.
Por, kjo ndarje buxhetore iu takon disa kategorive të caktuara.
Për punëtorët e sektorit privat dhe publik që nuk paguhen nga buxheti i vendit, nuk do të mund të përfitojnë 100 eurot nëse në muajin prill ka të ardhura mujore të deklaruara më shumë se një mijë euro.
Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati tha se mbështetja e njëhershme për përfituesit e skemave personale do të jetë sipas listës së pagesave të muajit maj të këtij viti dhe për fëmijët që janë përfitues të skemës së shtesave.
Ndërsa, mbështetja për studentët vlen për ata aktiv dhe të rregullt në vitin akademik 2025-2026.
“Mbështetje të njëhershme për përfituesit e skemave pensionale sipas listës së pagesave të muajit maj të këtij viti, për mbështetje të njëhershme për të gjithë fëmijët që janë përfitues të skemës së shtesave për fëmijë. Për të gjithë të punësuarit të deklaruar në muajin prill me të ardhura mujore më pak se një mijë euro që nuk janë në listën e pagave që paguhen nga buxheti i shtetit, pra sektori privat dhe sektori publik por që është jashtë organizatave buxhetore, përfshihen shoqëria civile por edhe ndërmarrjet publike dhe organizata të tjera që nuk marrin pagë nga buxheti. Si dhe mbështetje edhe për të gjithë studentët aktiv dhe të rregullt në vitin akademik 2025-26 në institucionet të arsimit të lartë në Kosovë që përmbushin kriteret”, tha Murati.
Përveç këtyre kategorive, qeveria në detyrë mori vendim që nga muaji maj të rriten edhe shtesat për lehona nga 325 sa janë aktualisht, në 500 euro. Por, qeveria nuk e dha ndonjë detaj për vlerën e përgjithshme të gjithë kësaj pakoje./KP/